Garues nga Italia dhe Malta në 'Rrethin e Kosovës'

Sporti

Garues nga Italia dhe Malta në 'Rrethin e Kosovës'

Nga: Kemajl Goca Më: 20 gusht 2014 Në ora: 15:58

Gara e çiklizmit në Kosovë për çdo vjet vjen duke u bërë gjithnjë e më joshëse dhe marrin pjesë garues edhe nga shtetet e ndryshme. Këtë vit si risi është se për herë të parë do të marrin pjesë garues nga Italia dhe Malta, për çfarë e bënë edhe më atraktive “Rrethin e Kosovës”. Avni Nuha, kryetar i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, tha se gara ndërkombëtare do të mbahet nga 28-31 gusht dhe pret të jetë me rivalitet të madh dhe me pjesëmarrje të një numri të madh të çiklistëve nga vendet e ndryshme. Ai për gazetën kombëtare “Bota sot” tha se marrin pjesë mbi dhjetë klube edhe nga shtetet e rajonit. “Jemi të gatshëm për këtë eveniment shumë të rëndësishëm të çiklizmit tonë. Të gjitha janë të kryera në aspektin organizativ”, tha Nuha. “Në garë për herë të parë do të marrin pjesë garues (një klub) nga Italia e Malta. Domethënë pjesëmarrëse do të janë mbi 10 klube”, tha Nuha. Etapa e parë mbahet me 28 gusht në relacionin Prishtinë, Artanë, Ferizaj, Glloboçicë me gjatësi të shtegut 110 kilometra, ndërsa ajo e dyta në relacionin (me 29 gusht) Ferizaj, QMI, Lypjan, Skenderaj, Pejë, Kullë, shtegu i gjatë 130 kilometra. Etapa e tretë mbahet me 30 gusht në relacionin: Pejë, Klinë, Mrasor, Malishevë, Prizren me gjatësi të shtegut 85 kilometra dhe ajo e fundit me 31 gusht: Prizren, Prevallë, Ferizaj, Gjilan dhe Artanë, gjatësia e shtegut 117 kilometra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat