Chelsea i ofron super kontratë Courtois

Sporti

Chelsea i ofron super kontratë Courtois

Më: 20 gusht 2014 Në ora: 00:03

Portieri i përfaqësueses belge është përzgjedhur numri një i portës së Bluve të Londrës.

Thibaut Courtois dhe Chelsea pritet të nënshkruajnë kontratën e re që do t’i mbajë të lidhura palët deri në verë të vitit 2019. Portieri i përfaqësueses belge është përzgjedhur numri një i portës së Bluve të Londrës, duke mposhtur konkurrencën e Petr Cech, që në orët e fundit të merkatos pritet të largohet nga “Stamford Bridge”, ku nuk mund të pranojë rolin e zëvendësuesit. 22-vjeçarit belg i është propozuar që me hapjen e merkatos kontrata e re 5-vjeçare në bazë të së cilës do të përfitojë 110 mijë Stërlina në javë, trefishin e rrogës aktuale. Hezitimi i deritanishëm i Courtois lidhet me dyshimet që ai kishte për rolin e titullarit, por aktivizimi i tij që nga fillimi në fitoren 3-1 ndaj Burnleyt në Premier League, ishte një shenjë e qartë se Mourinho e konsideron zgjedhje të parë.

Tashmë firmosja e kontratës së re mbetet vetëm formalitet, pasi ekziston mirëbesimi mes palëve për zgjatjen e bashkëpunimit. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i ri i Petr Cech, që kurrsesi nuk mund të pranojë të jetë zgjedhje e dytë e portës në “Stamford Bridge”. Nëse për çekun vjen një ofertë jo më pak se 12 milionë Stërlina, Chelsea është gati ta shesë, por nga ana tjetër edhe klubi që shpreh interes për 32-vjeçarin duhet të plotësojë kërkesat e tij ekonomike. Situatën e Cech po e monitorojnë me kujdes Paris Saint Germain dhe Monaco. Gjatë një dekade me Blutë e Londrës, Cech është aktivizuar në 479 ndeshje, duke fituar 3 herë Premier League-n, Champions League, Europa League, 4 FA Cup dhe 3 Kupa të League-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat