Atletët treguan rivalitet në çdo disiplinë

Sporti

Atletët treguan rivalitet në çdo disiplinë

Nga: K.G. Më: 1 gusht 2014 Në ora: 17:14

Luljeta Shala e klubit Llapi nga Podujeva dhe Suad Kryeziu i Roganës, treguan paraqitje më të mirë në konkurrencën e seniorëve dhe triumfuan në garën tashmë tradicionale “Vrapojmë Shtigjeve të Enver Zymberit” në atletikë. Federata Atletike e Kosovës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, KK e Mitrovicës, klubet e atletikës Mitrovica dhe Trepça ’89 , në mbështetje nga MKRS-ja, organizuan garën me rastin e shënimit të trevjetorit të rënies së policit Enver Zymberit. “Ky vrapim tani e tri vite me radhë organizohet në rrugët e Mitrovicës. Në këtë garë ka qenë një numër i madh garuesish, mbi 300 për ta nderuar Dëshmorin e Kosovës. Për ta nderuar Zymberin morën pjesë edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe fëmijët e moshës 8-vjeçare”, thuhet në informatën e federatës. Halil Sylejmani, kryetar i Federatës Atletike të Kosovës, ka qenë i kënaqur me pjesëmarrjen e garuesve dhe rrjedhën e garave. Organizatorët i përshëndeti edhe djali i heroit tonë, Sokol Zymberi. Tre vendet e para në çdo disiplinë dhe konkurrencë, janë: në vrapimi 6 kilometra - seniorë, i pari është Suad Kryeziu (Rogana), pasojnë Luan Sejdiu (Olimpiku), Emin Grajçevci (Fushë Kosova). Te femrat në 4 kilometra, e para: Luljeta Shala (Llapi), pasojnë Fjolla Mergata (Prishtina), Antigona Shala (Llapi). Te meshkujt në tre kilometra-juniorët, Granit Kryeziu (Rogana) zuri vendin e parë, pas tij janë: Valentin Sadiku (Trepça), Besnik Hoda (Rogana) dhe te femrat: e para doli Donika Bojupaj (Olimpiku), , pasojnë: Donika Veseli (Llapi), Agona Ramaj (Prishtina). Në vrapimin 2 kilometra - pionierët: i pari Bashkim Hoti (Malisheva), më pas renditen: Mejdi Hoti (Malisheva), Besart Zeka (KA “Envernelle”), ndërsa te femrat: ngadhënjeu Laura Hyseni (Trepça ’89), Gentrita Peci (Mitrovica), Albina Mustafa (Mitrovica). Edhe veteranët garuan deri në tri kilometra, ku Xhevat Krasniqi i KA Kalaja e zuri vendin e parë, pasojnë: Zymer Alaj (Juniku), Besim Krasniqi (Kalaja), ndërsa te policia triumfoi Xhavit Tahiri dhe të FSK-ja, Arben Vidishiqi. Te femrat – FSK-ja, në tri kilometra triumfoi Manushaqe Nura dhe të fëmijët 7-8 vjeç në 500 metra, e para doli Ezan Kryeziu (Rogana) dhe Erza Hyseni (Mitrovica).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat