Polemika për Usain Bolt

Sporti

Polemika për Usain Bolt

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 00:58

Sipas “The Times” njeriu më i shpejtë në planet ka shfaqur pakënaqësi në lidhje me Lojërat e 20 të Commonwealth.

Sic ndodh shpesh e vërteta është tepër e vështirë për t’u kuptuar por disa fjalë të thëna në mënyrë të shkujdesur nga ana e Usain Bolt mjaftuan për të hapur shumë polemika, në lidhje me Lojërat e 20 të Commonwealth. Sipas “The Times” njeriu më i shpejtë në planet ka shfaqur pakënaqësi në lidhje me këtë aktivitet, dhe ka deklaruar se nuk po argëtohet aspak në Glasgow. Po i njëjti burim pretendon se sprinteri xhamajkan ka shtuar gjithashtu se Lojërat Olimpike të Londrës kanë qenë shumë më të mira, krahasuar me eventin që është duke u zhvilluar këto ditë në Skoci.

Vetë 27-vjecari nga Karaibet i konsideroi marrëzi komentet e bëra publike nga kjo prestigjioze në lidhje me opinionin e tij mbi Lojërat e Commonwealth-it. Usain Bolt reagoi pa humbur shumë kohë duke shkruar në Twitter se u zgjua në mëngjes duke lexuar komente të tilla pa sens, ndërsa në vazhdim rekordmeni i botës në 100 dhe 200 metra iu lutej gazetarëve për të mos thurrur gënjeshtra, për të mbushur faqet e para të gazetave. Sipas Bolt “The Times” e ka sajuar vetë një histori të tillë, megjithatë redaktori i kësaj gazete, Angus Macleod, që për më tepër është skocez vetë, pretendon se kjo histori është plotësisht e vërtetë. Macleod shtoi se gazetari që shkruajti artikullin ka mbajtur shënime pikërisht në vendin e intervistës, duke cituar fjalë për fjalë gjithcka ka thënë vetë atleti i famshëm xhamajkan. Më pas kur Bolt shkoi për të ndjekur sfidën në netball ndërmjet Xhamajkës dhe Zelandës së Re 27-vjecari nuk pranoi të komentojë më këtë histori.

Atleti u duk krejtësisht i qetë duke pozuar madje për fotografët dhe duke firmosur autografë, përpara se të bashkohej me të pranishmit e tjërë në festimin tashmë të zakonshëm të valëve meksikane. Në dalje, në përfundim të takimit kur u pyet nga një tjetër gazetar sesi ndihej në këto Lojëra, Bolt u përgjigj shkurt shkëlqyeshëm. Menaxheri i tij Ricky Simms më pas deklaroi për BBC se gjithcka cfarë është thënë në lidhje me këtë histori është e pavërtetë. Burime të tjera bënë të ditur gjithashtu faktin se sprinteri xhamajkan gjatë kohës që po priste makinën e tij për t’u larguar nga Fshati Sportiv, që ndodhet në pjesën lindore të Glasgowt, pati një takim të shkurtër me pjesëtarë të familjes mbretërore. Usain Bolt i cili nuk kishte marrë kurrë më parë pjesë në Lojërat e Komonuelthit ka vendosur që sërish të mos garojë në konkurrimet individuale, gjithsesi ai ka rënë dakord që të marrë pjesë ditën e premte në garat e stafetës, ndërsa finalja e madhe është programuar ditën e shtunë, në stadiumin Hampden Park.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat