Briggs i “dëshpëruar” për t’u ndeshur me Klitschko

Sporti

Briggs i “dëshpëruar” për t’u ndeshur me Klitschko

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 23:09

Shanon Briggs vazhdon të këmbëngulë dhe kërkon me insistim të ndeshet me kampionin absolut të botës Wladimir Klitschko.

Në boks përdoren të gjitha mënyrat për të organizuar ndeshje të mëdha dhe atëherë kur dështojnë menaxherët mendojnë vetë boksierët për të krijuar situata të atilla, që më pas sjellin edhe rezultatin e dëshiruar. Kështu përshembull Shanon Briggs vazhdon të këmbëngulë dhe kërkon me insistim të ndeshet me kampionin absolut të botës Wladimir Klitschko, dhe për t’u ndeshur me të 42-vjecari njujorkez po përdor të gjitha mënyrat e mundshme. Boksieri nga Brooklyn, i cili në katër vitet e fundit ka humbur vetëm një nga 8 ndeshjet e zhvilluara po insiston me dëshpërim për të ftuar në duel vëllain e vogël Klitschko, megjithatë nga sa kuptohet Briggs ka zgjedhur mënyrën e gabuar.

Në fakt Shannon Briggs në të kaluarën ka punuar shumë me promoterin e famshëm Don King, pra veterani amerikan ka patur se nga të mësojë, sidoqoftë njujorkezi sapo ka regjistruar dështimin e radhës në këtë aspekt. Mëngjesin e ditës së mërkurë Briggs ia behu në një palestër në jug të Floridës, pikërisht palestrën ku stërvitet kampioni i padiskutueshëm i peshave të rënda Wladimir Klitschko, që zotëron njëkohësisht që të gjithë brezat në WBA, IBF, WBO dhe IBO. Vizita e papritur për pak sa nuk solli përplasjen e paevitueshme që ndodh si zakonisht në raste të tilla, por me sa duket gjithcka u evitua falë qetësisë dhe përmbajtjes së jashtëzakonshme të kampionit absolutisht më jetëgjatë të peshave të rënda. Briggs që është njëkohësisht edhe boksieri i fundit nga Shtetet e Bashkuara që ka fituar titull botëror në peshën e rëndë provoi sërish duke rinovuar kërkesën e tij për t’u ndeshur me 38-vjecarin ukrainas.

Të dy shkëmbyen fjalë me njëri – tjetrin, por nga sa kuptohet boksierit amerikan nuk i pëlqyen aspak fjalët e Klitschko-s. I pakënaqur nga kjo Shannon Briggs kërceu pa humbur kohë në ring, ku Wladimiri ishte me dorezat veshur dhe krejtësisht i gatshëm për t’u stërvitur me një sparring partner. Të dy qëndruan pranë e pranë me fytyrat pothuajse ngjitur dhe përshtypja e atyre pak vetëve që ishin të pranishëm në ato caste ishte se të dy do të fillonin të shkëmbenin grushte. Për fat të mirë për të ndalur gjithcka mendoi një tjetër ish-kampion bote, edhe ky nga Brooklyn, Michael Moorer që sot është 46-vjec, i cili u fut mes tyre duke i ndarë. Katër muaj më parë, më 22 mars të këtij viti Shannon Briggs fillimisht e provokoi Wladimirin duke hequr bluzën të cilën e lëshoi drejt boksierit ukrainas, megjithatë veterani amerikan kur pa se ai gjest nuk dha rezultat nuk u mjaftua me aq por hoqi këpucën dhe më pas e hodhi me forcë, po në të njëjtin drejtim.

Mbetet për t’u parë rezultati pas tentativës më të fundit për të provokuar vëllain e vogël, sidoqoftë bën vërtet përshtypje vetëpërmbajtja që kanë të dy vëllezërit, të cilët në jetën e përditshme sillen në mënyrë krejt normale, por kur ngjiten në ring rrëzojnë pa mëshirë cdo kundërshtar që iu del përpara, pak a shumë njëlloj si katër vjet më parë, ose më saktë më 16 tetor të vitit 2010 kur Shannon Briggs, ndonëse rezistoi deri në fund të raundit të 12, koleksionoi humbjen e fundit në karrierë pikërisht nga grushtet e vëllait tjetër Vitali, që asokohe në Hamburg mbrojti me sukses titullin në Kategorinë WBC.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat