Chelsea, Lukaku kalon te Everton

Sporti

Chelsea, Lukaku kalon te Everton

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 23:08

Sulmuesi i përfaqësueses belge ka firmosur një kontratë 5-vjecare me 9 herë kampionët e Anglisë.

Romelu Lukaku zgjedh Evertonin. Drejtuesit më të lartë të “Bluve” të Liverpulit konfirmuan se tashmë gjithcka është zyrtare dhe sulmuesi i përfaqësueses belge ka firmosur një kontratë 5-vjecare me 9 herë kampionët e Anglisë. Shifra e transferimit është plot 23.7 mln Stërlina, shumë kjo që përbën një rekord për këtë klub. 21-vjecari nga Anversa sezonin e kaluar shënoi 16 gola, po për Evertonin, pikërisht gjatë periudhës që u lejua nga Chelsea të luajë në formë huazimi te ky ekip, duke kontribuar kështu në renditjen në vendin e pestë në Premier League, megjithatë golat e realizuar prej tij ndihmuan gjithashtu edhe që skuadra e Roberto Martinez të kualifikohet për në kupat evropiane, për herë të parë pas plot pesë vjetësh.

Sulmuesi shtatlartë u transferua verën e vitit 2011 fillimisht te Chelsea nga ekipi i Anderlehtit, për shumën 18 milionë Paund, por Lukaku zhvilloi gjithsej vetëm 15 ndeshje për skuadrën londineze në të gjitha kompeticionet, ndërsa sezonin 2012-13 e kaloi në formë huazimi te West Bromwich Albion, ku shënoi 17 gola në 38 takime, duke e renditur ekipin nga West Midlands në vendin e 8, që përbën njëherësh edhe pozicionimin më të mirë të këtij klubi në Premier League. Forma e tij e mirë bëri që Marc Wilmots ta grumbullojë në Brazil për kampionatin botëror, ku gjithsesi Lukaku shënoi vetëm një gol në katër ndeshje. U kuptua qartë që sulmuesi belg nuk bënte më pjesë në planet e trajnerit Jose Mourinho, i cili përpara transferimit të Lukakut afroi në kryeqytetin britanik dy sulmues dhe largoi dy të tjerë.

Chelsea shpenzoi 32 milionë Stërlina për sulmuesin Diego Costa, në një kohë kur u rikthye me kosto zero një legjendë e Bluve si 36-vjecari Didier Drogba, ndërsa nga reparti ofensiv u larguan Samuel Eto’o dhe Demba Ba, i cili u transferua në Turqi te Beshiktashi i Stambollit për 4.7 milionë Paund. Shitja e Lukakut tashmë konfirmon qëndrimin e sulmuesit tjetër te ky ekip Fernando Torres, por gjithashtu transferimi i Lukakut bën të mundur që drejtuesit e Chelseat të jenë në rregull me kërkesat e UEFA-s për Fair Play Financiar. Pas rinovimit për 4 vjet të mesfushorit të talentuar Ross Barkley, trajneri Roberto Martinez kërkoi me insistim edhe shërbimet e 21-vjecarit nga Anversa dhe drejtuesit e klubit në Goodison Park e kënaqën menjëherë duke thyer rekordin e vjetër të transferimeve, që mbahej me 15 milionë Stërlina nga një tjetër futbollist belg, mesfushori Marouane Fellaini që luajti për plot pesë sezone me Blutë e Liverpulit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat