Një kapitull i ri për hendbollin e Kosovës

Sporti

Një kapitull i ri për hendbollin e Kosovës

Më: 29 korrik 2014 Në ora: 19:37

Për hendbollin e Kosovës po hapet një kapitull i ri. Kështu tha sot Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi gjatë takimit me kreun e Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini. Këshilli i Federatës Botërore të Hendbollit (IHF), e ka miratuar kërkesën e FHK-së për anëtarësim të plotë të përkohshëm në IHF. Krasniqi tha se ky është një tregues se sporti i Kosovës po hap përfundimisht dyert e izolimit dhe tash po vjen koha e prezantimit të barabartë. Me theks të veçantë në këtë takim është biseduar për përgatitjet e përfaqësueses së Kosovës në hendboll për kualifikimet për botërorin në vitin 2015. ‘Ne do të jemi përkrahës të hendbollit ashtu siç edhe kemi qenë gjithmonë dhe jo vetëm për hendbollin. Aq më tepër përkrahja jonë tashmë do të rritet pasi edhe do të kemi edhe një përfaqësuese që do të na përfaqësojë në gara të rëndësishme ndërkombëtare”, tha Krasniqi, teksa ka përgëzuar kryetarin Saraçini për punën e madhe që po bën për masivizimin dhe rritjen e cilësisë në hendboll. Kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini njoftoi ministrin për punën që kanë bërë deri tash dhe përgatitjet për procesin përfundimtar të anëtarësimit në IHF, si dhe pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare. Ai falënderoi ministrin Krasniqi për mbështetjen, duke e vlerësuar atë si tejet domethënëse për të arriturat që ka shënuar hendbolli i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat