Mourinho: Drogba e përforcon skuadrën tonë

Sporti

Mourinho: Drogba e përforcon skuadrën tonë

Më: 28 korrik 2014 Në ora: 18:27

Jose Mourinho duket se e ka me gjithë mend që luftojë për titullin e kampionit në Premier League por edhe të bëjë një ekip të fortë edhe për garën më prestigjioze, Champions League. Trajneri i skuadrës së Chelsea është optimist i madh sidomos me rikthimin në ekip të sulmuesit të Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, i cili së fundi luajti për ekipin turk, Galatasaray. Drogba ka 34 vjet por njihet si prej sulmuesve më të mirë dhe më i merituari që Chelsea ishte kampion i Evropës në vitin 2012 kur ekipi drejtohet nga Roberto Di Matteo. Dhjetë vite më parë Drogba u transferua nga Marseille te Chelsea, ku fitoi gjithçka përgjatë tetë sezoneve në “Stamford Bridge”. Një kohë luajti edhe në Kinë për Shanghai Shenhua dhe së fundi në fanellën e Galatasarayit. “Rikthimi i Drogba ishte një gjë shumë normale. Këtu ai i njeh të gjithë, nuk ka asgjë të re për të. Ai ka qenë gjithmonë i pranishëm te Chelsea edhe kur luante me Shenhua apo me Galatasaray-in. Duket sikur është shkëputur për një kohë të shkurtër pushimesh dhe është kthyer. Mendoj se ne kemi nevojë për të. Dua një skuadër me kualitete të ndryshme, jo vetëm si futbollistë por edhe si personalitete. Si lojtar edhe si karakter Didier Drogba e përforcon më shumë skuadrën tonë”, tha Mourinho. Drejtuesit e Chelseas konfirmuan se Drogba do të veshë fanellën me numër 15-të, e njëjta që ka pasur gjatë eksperiencës së parë me këtë ekip, ku u aktivizua në 341 ndeshje dhe shënoi 157 gola.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat