Blatter: Botërori me 32 ekipe, formula perfekte

Sporti

Blatter: Botërori me 32 ekipe, formula perfekte

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 14:53

Formula e finaleve të Kupës së Botës është perfekte, kështu siç është me 32 skuadra. Eshtë i bindur presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.

Formula e finaleve të Kupës së Botës është perfekte, ideale kështu siç është me 32 skuadra, as më shumë dhe as më pak. Eshtë i bindur presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, sipas të cilit spektakli që ofroi skena futbollistike në Brazil është prova më e mirë se formati i këtij turneu nuk duhet prekur.

“E dimë se disa konfederata po kërkojnë zgjerimin, duke shtuar më shumë skuadra por do të ishte krejtësisht e gabuar. Përse duhet ta ndryshojmë një produkt kur është me kualitet të lartë? Vërtet nuk shikoj asnjë arsye për të bërë modifikime. Numri i skuadrave në Botëror duhet të qëndrojë kaq sa është, 32 mjaftojnë, është shifra ideale”.

FIFA është vendosur sërish mes llogoreve të politikës me thirrjet që janë rishfaqur edhe më të forta që Rusisë t’i hiqet e drejta e Botërorit 2018. Shkak është bërë sulmi i separatistëve ndaj një avioni në Ukrainë dhe për këtë ngjarje tragjike gishti drejtohet mbi Moskën, por Blatter driblon dhe tenton ta mbajë politikën larg futbollit.

“Historia ka treguar se bojkoti i eventeve sportive dhe politika e izolimit nuk janë rrugët më efektive për zgjidhjen e problemeve. Një event global si Kupa e Botës mund të jetë një katalizator i fuqishëm për dialogun mes popujve dhe qeverive”.

Më herët edhe ministri rus i sporteve, Vitaly Mutko bëri thirrje që FIFA t’i qëndrojë misionit të saj dhe të mos bëhet pjesë e politikës.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat