Rooney: Dua shiritin e kapitenit

Sporti

Rooney: Dua shiritin e kapitenit

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 11:39

Wayne Rooney ka shprehur hapur dëshirën për shiritin e kapitenit, por insiston se do ta respektojë vendimin e Louis van Gaal.

Wayne Rooney ka shprehur hapur dëshirën për shiritin e kapitenit, por insiston se do ta respektojë vendimin e Louis van Gaal, edhe nëse holandezi do të zgjedhë dikë tjetër. Eshtë përfolur së fundi se trajneri i ri mund të vendosë për Van Persie si kapiten te Manchester United, ndërkohë që në miqësoren me Los Angeles Galaxy ishte Darren Fletcher ai që e mbajti shiritin. Pavarësisht këtyre diskutimeve, Rooney beson se skuadra me Van Gaal në krye mund të përmirësohet ndjeshëm pas zhgënjimit në sezonin e fundit.

“Sigurisht që mund ta fitojmë titullin. Sezoni i fundit nuk ishte i mirë për ne, por kemi besim se do të rikthehemi më të fortë. Do të më pëlqente të isha unë kapiteni, megjithatë i takon trajnerit të vendosë. Mendoj se do t’i njohë mirë të gjithë dhe do të zgjedhë pas disa javësh”.

Që në takimin e parë, Van Gaal solli risi në lojën e Djajve të Kuq me rreshtimin 3-4-1-2, por edhe me ndryshime në stërvitje, për të cilat Rooney e vlerëson shumë teknikun.

“Ai është një trajner i madh, me të cilin kemi kaluar mirë në seancat stërvitore. Ka sjellë një stil të ri loje që duket tërheqës. Kur isha në Brazil e kam ndjekur me vëmendje lojën e Holandës dhe vazhdova ta ndjek edhe kur u ktheva në shtëpi. Më pëlqen Van Gaal mbi të gjitha për sinqeritetin. Nëse ka diçka që nuk shkon në stërvitje ta thotë në sy, në të kundërt të vlerëson”.

Për Rooney veç diskutimeve brenda United, prej ditësh flitet se duhet të jetë ai kapiten edhe në kombëtaren angleze, pas tërheqjes së Steven Gerrard.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat