Ancelotti: Me Interin ndeshje e vështirë

Sporti

Ancelotti: Me Interin ndeshje e vështirë

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 00:32

Në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me skuadrën janë bashkuar edhe tre lojtarë që morën pjesë në Botërorin e Brazilit.

Reali i Madridit vijon përgatitjet për sezonin e ri. Në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me skuadrën janë bashkuar edhe tre lojtarë që morën pjesë në Botërorin e Brazilit. Bëhet fjalë për portierin Iker Casillias, mbrojtësin Sergio Ramos dhe mesfushorin Luka Modric. Mbrëmjen e së Shtunës në Berkeley Stadium, Los Blancos do të nisin aventurën e tyre në “Guinnes International Champions Cup” me sfidën përballë Interit. I pyetur për ndeshjen me zikaltërit por edhe për atë me Romën në 29 Korrik trajneri i madrilenëve Carlo Ancelotti, theksoi se skuadra e tij nuk do ta ketë aspak të lehtë përballë ekipeve italiane.

“Interi dhe Roma janë dy ekipe që kanë zhvilluar një merkato shumë të mirë, duke firmosur me lojtarë të rëndësishëm. Megjithatë në këto dy sfida si për ne ashtu edhe për kundërshtarët tanë rezultati nuk ka shumë rëndësi, pasi të gjitha skuadrat po përpiqen të përgatiten sa më mirë për sezonin e ri, dhe ndeshjet miqësore shërbejnë vetëm për këtë aspekt. Interi ka ndryshuar më shumë sesa Roma por ndërkohë nuk duhet të harrojmë faktin se verdhekuqtë kanë nënshkruar me një futbollist shumë të mirë si Iturbe”.

Në vijim numri 1 i stolit të Realit u përqendrua te merkato, ku Los Blancos deri tani janë përforcuar me James Rodriguez dhe Toni Kroos.

“Drejtuesit e klubit po e bëjnë shumë mirë punën e tyre në këtë merkato. Deri tani kemi firmosur me dy lojtarë cilësorë që do të na ndihmojnë shumë në të ardhmen. Kemi në dispozicion një grup shumë të mirë futbollistësh dhe unë nuk pres asgjë më tepër nga merkatoja e kësaj vere”.

Në fund Ancelotti foli edhe për Angel Di Marian dhe Keylor Navas. Argjentinasi përflitet për t’u larguar nga Reali ndërsa portieri i Kosta Rikës mund të jetë blerja e ardhshme e kampionëve të Europës.

“Di Maria është një futbollist i Realit. Ai do të bashkohet me ne në fazën përgatitore. Është e vërtetë që me afrimet e Kroos dhe James ka më shumë konkurrencë në skuadër por kjo gjë është më se normale në një klub të madh si Reali. Keylor Navas? Nuk mund të flas për të pasi ai nuk është ende një futbollist i yni. Momentalisht kemi në skuadër tre portierë cilësorë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat