Përcaktohet kalendari i La Ligas për sezonin e ri

Sporti

Përcaktohet kalendari i La Ligas për sezonin e ri

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 16:48

Do të nisë me transfertën e “Vallecas” përballë Rayo Vallecanos mbrojtja e titullit për Atleticon e Madridit në Primera Division.

Do të nisë me transfertën e “Vallecas” përballë Rayo Vallecanos mbrojtja e titullit për Atleticon e Madridit në Primera Division. Federata Spanjolle e Futbollit përcaktoi këtë të Enjte kalendarin e La Ligas për sezonin futbollistik 2014-2015. Por nëse Los Colchoneros në javën e parë duhet të vuajnë jo pak për ta nisur sezonin me këmbën e mbarë, Reali i Madridit dhe Barcelona kanë në letër një kalendar disi më të lehtë. Los Blancos do të presin të Hënën e 25 Gushtit, debutuesit e Cordoba në “Santiago Bernabeu”, ndërkohë që Barça fundjavën e 23-24 Gushtit do të ndeshet me Elchen në “Camp Nou”. Ashtu si Reali edhe Atletico ndeshjen e parë do ta zhvillojë po të Hënën e 25 Gushtit, për vetë faktin se Los Colchoneros dhe Los Blancos në 22 Gusht do të zbresin në fushë për finalen e kthimit të Superkupës së Spanjës.

Dueli më i fortë i javës së parë do të jetë ai që do të luhet në “Ramon Sanchez Pizjuan” mes Sevillias dhe Valencias. Për të parë ndeshjen e parë të madhe të sezonit të ri në La Liga nuk do të presim gjatë pasi vetëm në javën e tretë, do të vihet në skenë derbi i Madridit mes Realit dhe Atleticos. Në raundin e 9-të të gjithë tifozët e futbollit do të duhet të mbajnë frymën pasi në program është El Clasico i famshëm. Fundjavën e 25 dhe 26 Tetorit do të zbresin në tapetin e gjelbër të stadiumit “Santiago Bernabeu”, Reali dhe Barcelona me të gjithë yjet e mundshëm në dispozicion pasi edhe Luis Suarez do të jetë i pranishëm në këtë duel gjigandësh. El Clasico i parë i këtij sezoni përkon pikërisht me fundin e pezullimit të dhënë nga FIFA për sulmuesin uruguaian, dhe në këtë mënyrë debutimi i Suarez me fanellën e Barçës mund të vijë në përballjen e madhe, gjithmonë nëse FIFA nuk e redukton në kohë, skualifikimin e ish sulmuesit të Liverpoolit. Ndërkohë që ashtu si sezonin e kaluar edhe në sezonin e ri Barcelona-Atletico është në program vetëm në fund me ndryshimin e vetëm që jo më në javën e 19-të por në të 18-tën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat