Kosova në fund të tetorit kundër Rumanisë

Sporti

Kosova në fund të tetorit kundër Rumanisë

Nga: Kemajl Goca Më: 24 korrik 2014 Në ora: 10:39


Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve, me 22 korrik ka mësuar rivalët e saj, ndërsa më vonë edhe kalendarin e garave. Kombëtarja jonë është në grupin C në parakualifikimet për Euro 2018. Kosova në fund të tetorit përkatësisht me 29-30 tetor do të luajë si mysafir me Rumaninë, ndërsa më 1-2 nëntor si vendas ndeshet sërish me rumunët. Ndërkaq, me kombëtaren e Italisë ballafaqohet në vitin e ardhshëm. Kosova më 29-30 prill pret Italinë, ndërsa me 2-3 maj luan si mysafir i italianëve. Përzgjedhësin Alfred Llazari e pret një punë e madhe për t’i gjetur 14 hendbollistët më të mirë për të përfshirë në kombëtare për dy sfidat që e presin në muajin tetor dhe në fillim të nëntorit. Kosova është hera e parë që do të garojë në një ngjarje kaq të madhe dhe do të përpiqem që të bëjnë më të mirën. Njohësit e këtij sporti shprehen shumë skeptik në ndonjë rezultat pozitiv, duke e ditur se çfarë fuqie ka Rumania por edhe një rival mjaft i fortë është Italia. Megjithatë, hendbollistët tanë do të përgatiten maksimalisht që të lënë përshtypje sa më të mirë, ngase mundësitë më të mira për të bërë diçka më shumë i shohin në ballafaqim me italianët. Ditë më parë edhe Llazari tha se do të jetë mjaft vështirë kur kihet parasysh se janë një kombëtare e re, papërvojë dhe duke llogaritur edhe si fillestare!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat