Rosberg siguron pole position në shtëpinë e tij

Sporti

Rosberg siguron pole position në shtëpinë e tij

Më: 19 korrik 2014 Në ora: 23:09

Gjermani që kryeson klasifikimin e përgjithshëm nuk e diskutoi për asnjë moment vendin e parë.

Skuadara Mercedes nuk njeh rivalë duke arritur një tjetër sukses, këtë herë me Nico Rosberg, i cili regjistroi pole position numër 5 këtë sezon. Gjermani që kryeson klasifikimin e përgjithshëm nuk e diskutoi për asnjë moment vendin e parë në nisjen e garës së Hockenheim për Çmimin e Madh të Gjermanisë.

Me largimin e Hamilton në sesionin e dytë për shkak të një incidenti, Rosberg nuk hasi asnjë pengesë në garën e tij, duke regjistruar kohën më të mirë 1 minutë, 16 sekonda e 540 të mijtat, ndërsa britaniku do të niset nga vendi i 16-të, duke hedhur një hap të madh pas në garën për titullin. Kjo nuk është hera e parë që makina e Hamilton tregon limitet e saj. Britaniku u përplas me murin mbrojtës për shkak të një problemi në frena që u konfirmua edhe nga përgjegjësi i skuadrës Mercedes, Toto Wolff. Ndërkohë, skuadra Williams dhuroi një tjetër paraqitje pozitive me vendin e dytë dhe të tretë të arritur nga Valtteri Bottas e Felipe Massa, ndërsa Kevin Magnussen regjistroi kohën e katërt më të mirë.

Paraqitje e dobët për Ferrarin që arriti deri në vendin e shtatë me Fernando Alonson, pasi Kimi Raikkonen nuk mundi të kualifikohej për sesionin e tretë, duke regjistruar kohën e 12-të. Gara e Hockenheim do të zhvillohet të Dielën, ndërkohë që Rosberg kryeson klasifikimin me 165 pikë, 4 më shumë se shoku i tij i skuadrës dhe nisja e Hamilton nga vendi i 16-të është një rast i mirë që gjermani të konsolidojë pozitat kryesuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat