Mutu e Lucescu: Flamurtarin e vlerësojmë maksimalisht

Sporti

Mutu e Lucescu: Flamurtarin e vlerësojmë maksimalisht

Më: 17 korrik 2014 Në ora: 00:26

Tekniku i rumunëve para ndeshjes që do të luhet në orën 18:30 në Ploesti, e cilësoi skuadrën e tij favorite por i kërkoi të tijve ta vlerësojnë seriozisht kundërshtarin.

Petrolul Ploesti u përpoq të luante psikologjikisht me Flamurtarin që përpara ndeshjes me vlonjatët për Europa League, me trajnerin Razvan Lucescu, i cili në konferencë për shtyp para sfidës me vlonjatët u prezantua me lojtarin më të njohur të kësaj skuadre, Adrian Mutu. Tekniku i rumunëve para ndeshjes që do të luhet në orën 18:30 në Ploesti, e cilësoi skuadrën e tij favorite por i kërkoi të tijve ta vlerësojnë seriozisht kundërshtarin, i cili sipas tij përdor një sistem 4-4-2 dhe në raundin paraardhës tregoi se është një skuadër e balancuar taktikisht.

Për Lucescu faza përgatitore që ekipi zhvilloi në Maribor i ka shërbyer atij për të kuptuar më mirë potencialin e të tijve dhe se ai është optimist për kalimin e turit. Sipas trajnerit të Petrolul është e rëndësishme që formacioni që ai drejton të jetë i disiplinuar në fushë, të bëjë një lojë të shpejtë, të përpiqet të çekuilibroj Flamurtarin dhe të bëjë kujdes nga kundërsulmet e vlonjtatëve.

Te vlerësimi i vlonjatëve, i përqëndroi deklaratat e tij dhe ish-futbollisti i Juventusit, Interit dhe Chelseat, Adrian Mutu, që theksoi se do të ishte gabim të mendohej se skuadra do të arrijë një kualifikim të lehtë. E rëndësishme sipas sulmuesit është që skuadra të mësojë nga gabimet e sezonit të shkuar dhe të japë maksimumin në fushë duke u përqëndruar te forca e grupit më shumë sesa te individualitetet. Takimi mes Flamurtarit dhe Petrolul Ploesti do të luhet në stadiumin “Ilie Oana” në orën 18:30, që është ndërtuar në vitin 2010 dhe ka një kapacitet prej 15.500 spektatorësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat