Mandzukic: Më pëlqen stili i lojës së Atleticos

Sporti

Mandzukic: Më pëlqen stili i lojës së Atleticos

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 17:54

Mario Mandzukic është zyrtarisht futbollisti më i ri i Atleticos së Madridit. Pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore, sulmuesi kroat nënshkroi kontratë 4-vjeçare me “Los Colchoneros”. Ishte vetë klubi spanjoll që në faqen e tij në rrjetin social Twitter konfirmoi marrëveshjen me 28-vjeçarin. Nga shitja e Mandzukic, Bayern Munich arkëtoi 22 milion Euro nga të cilat 8 milionë Euro janë fitim i pastër për shoqërinë gjermane duke ditur faktin që bavarezët e blenë kroatin për 14 milionë Euro nga Wolfsburgu në verën e vitit 2012.

Te kampionët e Spanjës Mario Mandzukic do të marrë vendin e Diego Costës që do të transferohet te Chelsea. Menjëherë pas kalimit me sukses të vizitave mjekësore në kryeqytetin spanjoll erdhën dhe fjalët e para të sulmuesit si futbollist i skuadrës bardhekuqe.

“Jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e Atleticos së Madridit, ky ekip ka në përbërje shumë lojtarë të mirë por edhe një trajner të madh si Diego Simeone të cilin e vlerësoj shumë”,- u shpreh futbollisti kroat.

Vetëm pak ditë më parë, Drejtori Sportiv i Bayernit, Mathias Sammer falënderoi Mandzukic për dy sezonet e tij te kampionët e Gjermanisë ku 28-vjeçari zhvilloi në total 54 ndeshje duke shënuar edhe 34 gola, ndërkohë që bëri me dije se ishte arritur një akord verbal mes bavarezëve dhe Atleticos për transferimin e Mandzukic në Madrid. Për kalimin e sulmuesit në “Vicente Calederon” foli edhe Drejtori Sportiv i “Los Colchoneros”. Jose Luis Perez Caminero theksoi se ish lojtari i Bayernit dhe Wolfsburgut është futbollisti ideal që Atletico po kërkonte për repartin e avancuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat