Maradona: Argjentina mund të mposhtë Gjermaninë

Sporti

Maradona: Argjentina mund të mposhtë Gjermaninë

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 17:52

Diego Armando Maradona në një intervistë deklaroi se të mposhtësh Gjermaninë nuk është e pamundur.

Argjentina e tij do të përballet në finalen e madhe të Brazil 2014 me “Panzerat”, të cilët mbrëmjen e të martës shkatërruan “Selesaon” me shifrat e thella 7-1.

Por pavarësisht kësaj, legjenda e futbollit argjentinas beson te triumfi i skuadrës, që drejtohet nga Alejandro Sabella ndaj Die Manschaft.

“Është më mirë për Argjentinën që Gjermania vjen në finalen e madhe pas një suksesi historik 7-1 përballë Brazilit. Ky fakt mund të bëjë që ata të na nënvlerësojnë disi dhe kjo gjë mund të jetë një plus më shumë për ne.

Edhe pse poshtëruan Brazilin, unë besoj se Gjermania është një skuadër që mund të mundet. Kam besim tek skuadra dhe jam i sigurt se Sabella do të dijë t’i motivojë lojtarët përpara një finaleje që na mungon prej 24 vitesh”.

Sa i përket përballjes me Holandën, ku Argjentinës iu deshën goditjet e penalltive për t’u kualifikuar në finale, “El Pibe D’Oro” vlerësoi paraqitjen e Javier Mascheranos.

Sipas Maradonës, mesfushori i “La Selecion” ishte thjeshtë i mrekullueshëm duke bërë gjatë gjithë kohës ndërhyrje të sakta.

Në lidhje me Messin, 53-vjeçari deklaroi se kapiteni i kombëtares “Albiceleste” tregoi një formë jo shumë të mirë ndaj “Tulipanëve” të Van Gaal.

Edhe pse është në konflikt për shkak të ndarjes së tij me të bijën Giannina, Maradona deklaroi se në fushën e blertë ai e admiron Sergio Agueron duke shtuar se rikthimi i tij në skuadër do të ndikojë për mirë te Argjentina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat