Sabella: Do të japim 100% kundër Gjermanisë

Sporti

Sabella: Do të japim 100% kundër Gjermanisë

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 11:48

Për të tretën herë në histori finalja e Kupës së Botës do të diskutohet mes Argjentinës dhe Gjermanisë. Por nëse “Pancerat” e turpëruan Brazilin në gjysmëfinale, kombëtares së Argjentinës iu desh goditja e penalltive për të mposhtur Holandën e për t’u kualifikuar në finalen e madhe të “Maracana”-s.

Tashmë që ndeshja me portokallinjtë është lënë pas, e gjithë vëmendja e argjentinasve shkon te sfida e Rio De Janeiros me Gjermaninë. Lumturia për mbërritjen në një finale të Botërorit pas plot 24 viteve nuk mbizotëronte vetëm tek futbollistët por edhe te trajneri i “Gauçosëve”, Alejandro Sabella i cili më së shumti foli për takimin me Gjermaninë.
“Të shohim se çfarë do të bëjmë në finale. Kemi një ditë më pak pushim dhe ky fakt mund të ndikojë paksa në disfavorin tonë. Megjithatë me punë dhe përulësi unë jam i sigurt se ne do të japim 100%-shin tonë përballë Gjermanisë. Të jemi sërish në finalen e një Kupe Bote është një gëzim shumë i madh për ne. E dimë që do të kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë. Unë gjithmonë kam pasur simpati për Gjermaninë dhe për futbollin që ata aplikojnë. Megjithatë besoj se do të ketë kohë për të folur për sfidën tonë me ‘Pancerat’, tashmë dua të shijoj kualifikimin në finale”, ka theksuar Sabella.
“Jam shumë i lumtur që kemi arritur diçka të tillë sidomos për futbollistët, për bashkëpuntorët e mi, për familjen time si dhe për tifozët argjentinas që prej shumë vitesh e prisnin një sukses të tillë”, ka shtuar Sabella.
I rikthyeri i madh i Argjentinës në sfidën me Holandën ishte sulmuesi Sergio Aguero. Lojtari i Manchester Cityit teksa shprehu gjithë gëzimin e tij për kalimin në finale theksoi se Gjermania e respekton Argjentinën për emrin e madh që ata kanë ndërkohë që shtoi se gjasat për të triumfuar janë 50 me 50.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat