Ndërron jetë legjenda e Real Madridit

Sporti

Ndërron jetë legjenda e Real Madridit

Nga: K.G. Më: 7 korrik 2014 Në ora: 17:39

Klubin mbretëror, Real Madridi, në përgjithësi Madridi dhe Spanja, është e pikëlluar me vdekjen në moshën 88-vjeçare të legjendës së futbollit Alfredo Di Stefano. Presidenti nderit të Realit të Madridit dhe ikona e futbollit botëror humbi një prej njerëzve më të shquar. Ai u nda nga jeta në spitalin e “Gregorio Maranon” duke mos e fituar këtë herë dot ndeshjen e tij me jetën. Di Stefano ishte shtruar me urgjencë të shtunën në spitalin e kryeqytetit spanjoll pasi kishte pësuar një tjetër arrest kardiak. “Me keqardhje të thellë iu njoftojmë se Alfredo Di Stefano ka ndërruar jetë pak momente më parë. I shprehim ngushëllime familjes së tij të afërt dhe të gjithë madrilenëve anembanë botës. Sot kemi humbur legjendën më të madhe të klubit. U prefsh në paqe, Don Alfredo. I përjetshëm qoftë kujtimi yt. E përjetshme qoftë historia që na ke lënë trashëgimi. Madrilenët nuk do të harrojnë kurrë”, thuhet në portalin e klubit. Di Stefano, më 5 nëntor të vitit 2000 u emërua në postin e presidentit të nderit të Realit të Madridit dhe në vitin 2003 u shpall nga Familja Mbretërore dhe Federata Spanjolle si lojtari më i madh spanjoll i të gjitha kohërave pavarësisht se origjina e tij ishte argjentinase.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat