Deschamps: Eliminimi djeg akoma

Sporti

Deschamps: Eliminimi djeg akoma

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 18:23

Pas eliminimit që pësoi nga Gjermania në çerekfinalet e Botërorit, kombëtarja e Francës u rikthye në shtëpi.

Si rrallëherë në këto vitet e fundit, mbërritja në aeroportin e Parisit të avionit që kishte në bord futbollistët dhe stafin teknik të përfaqësueses së "Gjelave" u prit me duartrokitje nga tifozë të shumtë, madje disa prej tyre mbanin në duar edhe pankarta ku falënderonin ekipin kombëtar për paraqitjen e mirë që dhuroi në Botërorin e Brazilit.

Një gol i Mats Hummels eliminoi "Blutë" nga Brazil 2014, por duke marrë parasysh lojën e mirë që zhvilloi Franca përballë "Pancerave", eliminimi ka irrituar së tepërmi trajnerin e tyre Didier Deschamps, me këtë fundit që menjëherë pas mbërritjes u shfaq në një konferencë për shtyp duke deklaruar:

"Zhgënjimi është ende shumë i madh. Ne jemi të irrituar për mënyrën sesi u larguam nga Kupa e Botës Brazil 2014.

Unë mendoj se ne mund t'i kishim bërë gjërat akoma edhe më mirë. Futbollistët treguan kualitet të madh në fushën e lojës, por edhe shumë dëshirë për t'i bërë gjërat mirë si skuadër.

Për mua ishte diçka shumë e këndshme të drejtoja Francën në këtë Botëror. Arritja në çerekfinale mund të konsiderohet një rezultat pozitiv për këtë ekip që në përbërje kishte shumë djem të rinj".

Me paraqitjet e mira që bëri skuadra në Brazil 2014, trajneri Deschamps ka krijuar një ide të qartë se cilët do të jenë futbollistët që do të udhëheqin "Gjelat" në Europianin e ardhshëm, që do të zhvillohet pikërisht në Francë. i

Ish-tekniku i Marseille ka një kontratë me "Blutë", deri në përfundim të Euro 2016 dhe në turneun e shtëpisë ai do të përpiqet të çojë Francën drejt suksesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat