Van Gaal rrëfen “komplotin” e penalltive

Sporti

Van Gaal rrëfen “komplotin” e penalltive

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 17:42

Eshtë njeriu që ka bërë revolucion kudo që ka shkelur. Në çdo klub ka lënë gjurmë, ashtu siç po lë në këtë Botëror me zgjedhjet e paparashikuara, madje edhe nga brenda kampit, jo të gjithë e dinë si do të veprojë sepse efekti surprizë është çelësi i suksesit.

Eshtë fjala për Van Gaal, trajnerin e Holandës, që rrëfen pas suksesit të mundimshëm me Kosta Rikën, zgjedhjen e tij për të zëvendësuar portierin Jasper Cillessen me Tim Krul, vetëm pak sekonda nga goditjet e 11-metërshave.

“Ishte diçka e menduar që më parë. Cdo lojtar në skuadrën time ka aftësi dhe kualitete unike.

E dinim që Tim do të ishte i duhuri për të ndalur penalltitë sepse ka një rreze më të gjatë veprimi, por nuk i kishim thënë asgjë portierit Jasper sepse do ta zhgënjenim nëse i tregonim para takimit.

Kështu e kishim diskutuar këtë aspekt me Tim, dhe ndërkohë kishim studiuar penalltitë e fundit të Kosta Rikës kundër Greqisë. Në fund të kësaj strategjie jemi të gjithë të lumtur sepse funksionoi”.

Van Gaal shpjegoi në vijim se ishte shumë e vështirë të mbante pezull zëvendësimin e fundit deri në limitet e ndeshjes sepse lojtarët ishin të lodhur, teksa pohoi me batuta se përulet me nderim përpara tyre.

“U heq kapelen të gjithëve. Besoj se lojtarët ishin më të përmbajtur sesa stafi teknik. Shikoja kolegët e mi që kërcenin në stol gjatë gjithë kohës, ndërsa lojtarët u sollën në mënyrë të shkëlqyer.

Pashë vendosmëri në sytë e tyre për të ecur përpara. Në krahasim me skuadrat e tjera që kam drejtuar, këta janë më të fortët në aspektin profesional dhe të përgjegjësisë”.

Në gjysmëfinale tulipanët i pret një tjetër sfidë e jashtëzakonshme, një mision i komplikuar përballë armatës argjentinase me të rrezikshmin Leo Messi në krye.

“Pa asnjë dyshim që Argjentina është një skuadër e shkëlqyer, me lojtarë të mëdhenj si Messi. Nëse njerëzit thonë se ata sulmojnë gjatë gjithë kohës, atëherë ky nuk është një problem për mua”.

Van Gaal lëshon sfidën. Të mërkurën, nga Arena Corinthians në Sao Paulo, do të dalin gjigantët europianë ose ata amerikano jugorë si finalistë për ndeshjen e madhe të 13 Korrikut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat