Podolski: Gjermania nuk ka një Messi apo Neymar

Sporti

Podolski: Gjermania nuk ka një Messi apo Neymar

Më: 5 korrik 2014 Në ora: 23:40

Ndërkohë që i gjithë Brazili vajton humbjen e Neymar për betejën e radhës, Lukas Podolski pranon se Gjermanisë i mungon një yll i tillë siç është talenti i Barcelonës.

Ndërkohë që i gjithë Brazili vajton humbjen e Neymar për betejën e radhës, Lukas Podolski pranon se Gjermanisë i mungon një yll i tillë siç është talenti i Barcelonës. Sidoqoftë, sulmuesi i Arsenalit është i bindur se gjermanët kanë një forcë të madhe kolektive, e mjaftueshme për të siguruar vendin në finalen e madhe të Kupës së Botës. Madje sipas Podolskit, Gjermania është në avantazh ndaj Brazilit e në këto momente edhe më shumë, sepse nuk mbështetet tek një njeri i vetëm.

“E dimë që nuk kemi lojtarë si Messi apo Neymar që shënojnë me lëvizje spektakolare në fushë, por kemi një skuadër të fortë. Qëndrojmë të gjithë të bashkuar dhe kjo është shumë e rëndësishme. Skuadra më e mirë quhesh kur fiton Kupën e Botës, ndërsa kur humbet në gjysmëfinale je jashtë, prandaj duhet të luajmë për të fituar. Fakti që do të luajmë kundër Brazilit në Brazil e bën të veçantë këtë sfidë. Do të jetë një ndeshje e madhe për të gjithë botën”.

Askush nga Europa nuk ka mundur më parë që të triumfojë në një Botëror, që është zhvilluar mes pasionit dhe tifozerisë së zjarrtë në Amerikën e Jugut. Për Podolskin gjithçka është e mundur për tre herë kampionët gjermanë.

“Sigurisht që nuk do ta kemi të lehtë, por ne mund të jemi skuadra e parë europiane që triumfon në Amerikën e Jugut. Jemi vërtet të fortë përsa kohë ndodhemi ende këtu. Kupa e Botës nuk është një kompeticion, ku fiton skuadra me futbollin më të mirë. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat