“Spiun serb ”, Van Gaal anulon stërvitjen e Holandës

Sporti

“Spiun serb ”, Van Gaal anulon stërvitjen e Holandës

Më: 5 korrik 2014 Në ora: 13:27

Kosta Rika nuk resht së habituri si në fushë, edhe jashtë saj. “Hirushja” e edicionit të 20-të të Kupës së Botës po tenton gjithçka që të bëjë që “përralla” e saj të zgjasë sa më shumë të jetë e mundur. Përveç lojtarëve në fushë dhe trajnerit Pinto në bankë, ekipi karaibik për këtë ndeshje i ka kërkuar ndihmë një strategu të vjetër, që di shumë mbi futbollin dhe Kosta Rikën në veçanti.

Holandezët u surprizuan ditën e djeshme kur vunë re se po filmoheshin. Pas pak çastesh, ata u habitën edhe më shumë pasi kishin zgjuar interesin e një personi, që nga futbolli kupton shumë. Bora Milutinoviq ka detyruar trajnerin holandez, Luis Van Gaal të marrë masa dhe të shtyjë me një ditë përgatitjet taktiko- teknike të ekipit të tij.

Edhe pse askush nuk ia ka dalë që të kuptojë arsyen e interesit të Milutinoviqit, hamendësohet se serbi ka qenë në qendrën stërvitore për t’i bërë një nder ishskuadrës së tij. Në “CV”-në e 69-vjeçarit, Kosta Rika ka qenë një nga kombëtaret që i ka dhënë shumë.

Milutinoviq është trajneri i vetëm që ka arritur të kualifikohet në fazën finale të Botërorit me pesë ekipe të ndryshme (Kosta Rikën, Meksikën, SHBAtë, Nigerinë dhe Kinën). Ashtu siç raportojnë vetë mediet holandeze, ai ka asistuar në stërvitjen e Holandës për të kuptuar diçka më shumë nga skemat e Van Gaalit e më pas për t’ia raportuar Jorge Luis Pintos, komisarit teknik të vendit karaibik.

Me kalimin e minutave, Luis Van Gaal hezitoi që të niste stërvitjen taktiko- teknike të “tulipanëve”. Holandezi 62- vjeçar me shumë zgjuarsi shmangu këtë aspekt, duke i lënë të tijtë që të përgatisnin vetëm anën atletike të duelit. Sipas një burimi të Federatës Holandeze të Futbollit, Van Gaal ka preferuar të përgatisë skemat e fundit me skuadrën vetëm sot, pasi të mbërrijnë në Salvador.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat