U zhvillua Turneu “Edhe sporti flet një gjuhë”

Sporti

U zhvillua Turneu “Edhe sporti flet një gjuhë”

Më: 23 qershor 2014 Në ora: 15:23

Një veprimtari mbresëlënëse në Bazel, Zvicër

Në stadiumin Bachgraben-Allschwil (Bachgraben-Areal, Hegenheimermattweg 150, 4123 Allschwil), u zhvillua turneu tradicional sportiv me temën „ Edhe sporti flet një gjuhë”. Turneu i vitit 2014 është i 12-ti radhazi. Edhe për këtë vit veprimtaritë sportive në kuadër të këtij turneu me pjesëmarrje të gjerë sportistësh amatorë dhe me spektatorë të shumtë shqiptarë e zviceranë, si dhe nga Franca e Gjermania, u organizuan me bashkëpunimin dhe përkujdesjen e ABSM-Qendra për arsimim dhe këshillim të migrantëve dhe të Klubit futbollistik “DARDANIA”. Në programin e turneut përfshiheshin edhe lojëra për fëmijë, gara e vrapimit 100 metra, e tj. Ashtu si edhe në turnetë e mëparshëm ishin të pranishëm edhe drejtues dhe përfaqësues të disa prej departamenteve të Kantonit të Bazelit, si Drejtori i Departamentit për Kulturë dhe Sporte, Z. Meriton Ferizi, e tj. Morën pjesë gjithashtu edhe disa figura të shquara sportive të Komunitetit Shqiptar në Zvicër, që jetojnë dhe kanë pasur një karrierë të suksesshme sportive në Zvicër dhe vende të tjera, si Fadil Vokrri, Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Milaim Rama, ish- futbollist, i cili ka luajtur për kombëtaren e Zvicrës, Arnold Gjergjaj, boksier profesionalist, i cili deri tani i ka fituar të gjitha ndeshjet, etj. Ky turne pati si të ftuar special një delegacion nga Komuna e Gjakovës, të kryesuar nga Kryetarja e kësaj komune, Zonja Mimoza Kusari-Lila. Në turne morën pjesë 36 ekipe me nga 10 lojtarë; 5 plus 1, duke luajtur dhe rezervat.
Në futboll, në finale u takuan: Los Blancos dhe Likis 2:1, ndërsa për vendin e tretë luftuan FC Blasi kundër Coca Cola 1:0. Pas lojërave fer, por edhe mjaft mbresëlënëse, në temperaturë prej rreth 30 gradësh, tri vendet e para i ndanë ekipet: Los Blancos, Likis dhe FC Blasi. Shpërblimet i dorëzuan Georg Fankhauser, Meriton Ferizi dhe Fadil Vokrri. Fituesi i këtij turneu futbollistik – Los Blancos shpërblimin prej njëmijë frangash ia dhuroi KF “Dardania”, në shenjë respekti për përpjekjet dhe rezultatet e vazhdueshme që po tregon në futboll.

Zyra e Shtypit e ABSM, Basel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat