Arsenal fiton trofeun e parë pas nëntë vitesh (FOTO & VIDEO)

Sporti

Arsenal fiton trofeun e parë pas nëntë vitesh (FOTO & VIDEO)

Më: 17 maj 2014 Në ora: 20:43

Arsenali e ka fituar Kupën FA, pasi në finalen e Wembleyt mposhti Hull Cityn me rezultat 3-2.

Ishte një fillim ëndrrash për Hullin që realizoi dy gola të shpejtë në portën e Fabianskit. James Chester u gjend më së miri pas një harkimi nga këndi për të realizuar (4’). Tom Huddlestone ishte asistues.

Tjetër harkim nga këndi dhe tjetër mbrojtje jo e mirë nga Topçinjtë. Kësaj radhe ndëshkoi Curtis Davies (9’).

Santi Cazorla bëri që Arsenali të shkonte në pushim me shpresën për ta përmbysur rezultatin. Spanjolli realizoi nga gjuajtja e lirë (17’).

Angazhimi i Topçinjve në fraksionin e dytë, u shpagua me golin e barazimit. Pas një krosimi nga këndi, Sagna kërceu por topi u devijua në drejtim të Laurent Koscielnyt, i cili nuk gaboi (71’).

Arsenali vazhdoi ta kërkonte golin e fitores, ndërkohë që arbitri për të katërtën herë refuzoi të akordonte penalti për ekipin e Arsene Wenger. Koha e rregullt përfundoi me rezultat 2-2 dhe ndeshja shkoi në vazhdime.

Dhe në vazhdime, Arsenali realizoi golin e fitores. Aaron Ramsey shënoi pas një pasimi me thembër nga Giroud (108’).

Trofeu i fundit që e kishte fituar Arsenali ishte pikërisht Kupa FA në vitin 2005.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat