Benzema: Mund të kishim shënuar më shumë

Sporti

Benzema: Mund të kishim shënuar më shumë

Më: 25 prill 2014 Në ora: 09:25

Karim Benzema ka treguar edhe njëherë se po kalon momente të mira dhe Ancelotti mund të ketë besim të plotë tek ai, sidomos në Champions, ku shifrat i ka mbresëlënëse këtë sezon me 5 gola dhe 5 asist. Sulmuesi francez i rikthehet takimit me Bayernin, ku vendosi pikërisht ai me golin e vetëm në Bernabeu, teksa pohoi se për finalen e Lisbonës nevojitet edhe një sforcim i fundit nga skuadra.

“E dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë kundër një rivali tepër të fortë dhe kështu ishte, nga fillimi deri në fund. Sigurisht që Bayerni e zotëroi më shumë topin, por ne patëm rastet tona dhe arritëm të shënonim. Kjo është më e rëndësishme, jam i lumtur për golin tim”.

Benzema pranoi në vijim se i gjithë takimi shkoi sipas instruksioneve që kishte dhënë tekniku italian.

“E dinim që Bayernit i pëlqen ta mbajë gjatë topin në zotërim. Duhet të ishim të mirëorganizuar, të vendosur siç duhej dhe të shpejtë në kundërsulme. Në të vërtetë kjo taktikë funksionoi shumë mirë dhe mund të kishim shënuar 2 apo 3 gola të tjerë”.

Ronaldo humbi një rast të artë në pjesën e parë, megjithatë Benzema i del në mbrojtje portugezit.

“Eshtë shumë më e vështirë nga sa duket sepse i pasova shumë fortë për të shmangur mbrojtjen. Nuk mund të themi se ishte një gabim i Cristianos, por një çast i komplikuar”.

Për ndeshjen e kthimit, sulmuesi i Los Blancos tha se fitorja 1-0 është një avantazh për skuadrën, por një ndeshje e vështirë i pret madrilenët në Mynih, ndërsa në fund për titullin në La Liga, Benzema nuk pranoi të dorëzohet, duke thënë se gjithçka është e mundur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat