Klopp: Qëndroj te Dortmundi për 1000 arsye

Sporti

Klopp: Qëndroj te Dortmundi për 1000 arsye

Më: 24 prill 2014 Në ora: 20:13

Ka 1000 arsye që e mbajnë Jurgen Klopp te Borussia Dortmund dhe larg stolit të Manceshter United. Trajneri gjerman i verdhezinjve është përfolur vazhdimisht si njeriu i duhur për të pasuar të shkarkuarin David Moyes në pankinën e Djajve të Kuq, ndonëse vetë Klopp dhe drejtues të tjerë të Dortmundit e kanë konsideruar si të parealizueshëm këtë skenar për merkaton e trajnerëve. Në prononcimin më të fundit para ndeshjes së kësaj fundjave, Klopp tha se është jokomode që vazhdimisht të japë një refuzim, kur në fakt nuk ka patur asnjë kërkesë në drejtim të tij, teksa këmbënguli se në çdo rast, divorci me Dortmundin është i pamundur në këto momente.

Ish trajneri i Mainzit para se të merrte drejtimin e verdhezinjve në 2008-ën, planet në karrierën e tij i ka afatgjata me një kontratë rinovimi që e firmosi Tetorin e kaluar dhe ka si datë skadence vitin 2018. “Ekzistojnë rreth 1000 arsye që më bëjnë të ndihem shumë i lumtur në punën time me këtë klub”, komentoi në fund qartë dhe prerë Jurgen Klopp, si për t’i vënë kapak të gjithë zërave që tentojnë ta largojnë nga Gjermania. Të Shtunën, Dortmundin e tij të vendit të dytë me 17 pikë prapa Bayernit, e pret një sfidë mjaft e fortë në fushën e Leverkusenit, që po ashtu ndodhet në zonën Champions me vendin e katërt në renditje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat