Basketboll femra, Flamurtari në finale, Tirana barazon llogaritë

Sporti

Basketboll femra, Flamurtari në finale, Tirana barazon llogaritë

Më: 24 prill 2014 Në ora: 01:50

Një gjysmëfinale spektakli. E tillë po rezulton ajo mes Apolonisë dhe Tiranës, dy skuadrat e basketbollit të femrave që luftojnë për biletën e finales së këtij sezoni. Pas suksesit të parë të vajzave fierake, Tirana fiton përballjen e dytë, madje edhe me një rezultat të thellë, duke dalë jashtë çdo parashikimi. Vajzat bardheblu dominuan në të katërta periodat e zhvilluar në pallatin e sportit “Farie Hoti”, duke e mbyllur takimin me rezultatin përfundimtar 72-48. Takimi nisi vrullshëm për vendaset që treguan se kjo përballje do të ishte tjetër histori pas suksesit të Apolonisë në takimin e parë play off. Gjatë periodës së parë, vajzat e Astrit Grevës shënuan vetëm 5 pikë, ndërsa vendaset realizuan 18 të tilla. Gjithsesi, skuadra bardhjeshile reagoi duke e mbyllur pjesën e parë me disavantazhin e vetëm 3 pikëve. Pjesa tjetër e ndeshjes foli vetëm për Tiranën që shkatërroi nënkampionet në fuqi me rezultatin përfundimtar 72-48.

Takimi i tretë do të zhvillohet ditën e shtunë në pallatin e sportit të Durrësit “Ramazan Njala” ku Apolonia ka mundësinë për të korrigjuar gabimin e ndeshjes së dytë ku mesa duket nënvleftësoi aftësitë e kundërshtarit. Fituesi i ndeshjes së tretë gjysmëfinale do të përballet në 5 takime finale me Flamurtarin. Vlonjatet kaluan lehtësisht edhe në përballjen e dytë Kamza Basket, duke mbyllur çdo llogari. Kampionet në fuqi janë favorite për të fituar titullin edhe këtë sezon ku nuk numërojnë asnjë humbje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat