Hallaçi: Kukësi nuk e diskuton Europën

Sporti

Hallaçi: Kukësi nuk e diskuton Europën

Më: 22 prill 2014 Në ora: 19:35

Humbja me Partizanin në javën e 29 të kategorisë superiore nuk do të ndikojë në ecurinë e rezultateve të Kukësit në takimet e mbetura të seoznit. Këtë garanci e jep kapiteni i nënkampionëve të Shqipërisë, Rrahman Hallaçi, që këmbëngul se objektivi Europa Ligë as që duhet të vihet në dyshim, pavarësisht kundërshtarëve të vështirë në dy ndeshjet e radhës.

“Partizani është një skuadër me traditë dhe na ndëshkoi me një goditje standarde. Ne dhamë maksimumin por aq ishin mundësitë tona në atë takim. Kthesa do të vijë që me Lacin këtë javë.”

Kthesa, sipas 30-vjecarit do të vijë që në takimin e radhës me Lacin, kundërshtar të cilit Kukësi i ka marrë pikë të plota në dy fazat e para. Hallaçi gjen rastin të falënderojë tifozërinë e Kukësit që i ka dhënë mbështetje maksimale skuadrës edhe pas humbjes me Partizanin.

“Gjej rastin të falenderoj tifozët për mbështetjen që na ka dhënë gjatë ndeshjes por edhe në përfundim të saj. Ata na dhanë moral për sfidat e fundit ndaj duhet t’i falenderojmë.”

Përsa i përket Kupës së Shqipërisë, mbrojtësi i krahut të majtë u shpreh:

“Ne nuk po ruajmë forcat për finalen e Kupës, pasi më parë kërkojmë ta mbyllim kampionatin në vendin e dytë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat