Guardiola: Bayerni ende i uritur për trofe

Sporti

Guardiola: Bayerni ende i uritur për trofe

Më: 22 prill 2014 Në ora: 19:32

Luhet Real – Bajern, sfidë titanësh e drithërimash por që nuk e tensionon më shumë se cduhet Pep Guardiolën që pavarësisht elozheve të rastit për një përballje të tillë u shfaq i qetë në konferencën për shtyp . Spanjolli është mësuar me gjysmëfinalet e Champions, është mësuar dhe me përballjet në Madrid, ku nuk ka humbur kurrë gjatë karrierës së tij si trajner.

“ Për mua është një emocion i vecantë të kthehem në Madrid dhe të luaj një gjysmëfinale të Champuons kundër një prej skuadrave më të mira të botës. Më kujtoni që nuk kam humbur kurrë këtu? Është vetëm një statistikë që i përket të kaluarës, kur isha në një klub tjetër. Për të fituar sërish do të duhet një ndeshje e madhe, duhet të sulmojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Së fundmi Guardiola ka paralajmëruar skuadrën e tij të bëjë kujdes ndaj shpejtësisë së Ronaldos apo Bale. Të dy pritet që të luajnë në Bernabeu, por cuditërisht për trajnerin prezenca e tyre duket se pak gjë ndryshon.

“E kam parë pak gjatë këtij sezone, por kam përshtypjen se Reali është rritur me kalimin e kohës, sic është dhe normale pasi ndryshoi trajner. Ronaldo apo Isco, Reali është gjithmonë Reali, pastaj është e qartë që gjërat ndryshojnë pasi janë lojtarë të ndryshëm dhe njerëzit duan Ronaldon pasi është një ndër më të mirët në botë. Edhe unë shpresoj që të luajë. Nëse më kanë ardhur mesazhe nga Barcelona? Më vijnë gjithmonë, jo vetëm sot”.

Bajerni prezantohet në Madrid si kampion në fuqi i Europës, e rrjedhimisht si favorit.

“ Në përgjithësi kur fiton një titull, vitin pasardhës humbet pak nga uria që ke kur dëshiron ta fitosh për herë të parë. Ja përse jam krenar për skuadrën time. Pasi fituam Bundesligën, përqëndrimi ynë ra disi, por në ndeshjen e fundit edhe pse nuk luajtëm mirë rikuperuam shpirtin e duhur, dhe jam i bindur se kështu do të jetë edhe në Madrid”.

Nuk mungon edhe një ngacmim në lidhje me largimin e David Moyes nga Manchester United, por Guardiola nxiton të shuajë që në lindje cdo spekulim që e lidh atë me stolin e djajve të kuq.

“Në Gjermani futbolli përjetohet ndryshe, por këtu janë të gjithë të sjellshëm, unë kam edhe dy vjet kontratë dhe kam ndër mend ti respektoj. Pastaj, është e qartë se gjithshka varet nga rezultatet, fitova Bundesligën, jam në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe në gjysmëfinalet e Champions, por kjo nuk do të thotë asgjë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat