Watzke: Lewandowski? Klopp do ta gjejë zgjidhjen

Sporti

Watzke: Lewandowski? Klopp do ta gjejë zgjidhjen

Më: 22 prill 2014 Në ora: 12:52

Hans-Joachim Watzke jep garanci të plotë se Dortmund nuk do të vuajë nga largimi i Robert Lewandowskit në fund të sezonit. Me fanellën e verdhezinjve, bomberi polak shënoi golin e tij të 100-të në gjysmëfinalen e Kupës kundër Wolfsburgut dhe transferimi te Bayerni tashmë është një realitet i njohur prej kohësh, por për shefin ekzekutiv të klubit, trajneri Jurgen Klopp ka treguar se di si ta menaxhojë situatën kur largohen lojtarë të klasit të lartë, siç ka ndodhur në të shkuarën me Nuri Sahin që shkoi te Reali dhe Shinji Kagawa që u largua drejt Manchester United.

“Eshtë thënë se nuk mund t’ia dilnim kur humbëm fillimisht Sahin dhe të njëjtat fjalë u përsëritën edhe në rastin e Kagawas. Sigurisht që Robert nuk mund të zëvendësohet kokë më kokë, por kemi një nga trajnerët më të mirë në botë që gjithmonë di të gjejë një zgjidhje. Nuk kam frikë për sezonin e ardhshëm, jam i bindur se do të jemi sërish të suksesshëm”.

Dortmundi në fakt i ka hedhur disa hapa për të mbushur boshllëkun që do të lërë pas largimi i Lewandowskit me akordin paraprak që ka arritur me sulmuesin e Herthas, Adrian Ramos, ndërkohë që sytë i ka hedhur edhe nga lojtari i Torinos, Ciro Immobile. Më tej në intervistën e tij, Watzke pranoi se rivalët bavarezë janë për momentin simboli dhe modeli i futbollit gjerman, teksa u zotua se Dortmundi do të përpiqet me çdo forcë për të ngushtuar diferencën me skuadrën kampione.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat