Mazrekaj, të Mërkurën në stërvitje?

Sporti

Mazrekaj, të Mërkurën në stërvitje?

Më: 22 prill 2014 Në ora: 01:42

Suksesi i arritur me Kukësin falë perlës së Migen Memellit nga goditja e lirë ka rikthyer qetësinë në kampin e kuq, ku gjithsesi mbetet edhe një çështje për t’u zgjidhur, ajo e Mentor Mazrekaj. Mesfushori kosovar, pas polemikave që pati me stafin teknik, u kthye në kryeqytet ku ndoqi nga tribuna e “Qemal Stafës” sfidën me nënkampionët e Shqipërisë, ndërsa pritet t’i bashkohet të Mërkurën grupit në stërvitjen e parë të javës.

Gjithsesi më parë 25-vjeçari, i cili pati një takim sqarues me presidentin Gazmend Demi në prani edhe të Remzi Ejupit të Prishtinës, duhet të ulë tonet me trajnerin Marcio Sampaio, i cili i ka vënë si kusht për ta pranuar në skuadër, të dalë në një prononcim për shtyp dhe të kërkojë falje për veprimet e tij. Qëndrimi i portugezit duket se kërkon të vendosë një standard për të gjithë lojtarët, pasi korrektësia dhe disiplina janë elementët bazë që e çojnë një skuadër futbolli drejt suksesit. 35-vjeçari nuk i ka vënë në asnjë moment në dyshim cilësitë e Mazrekajt, që mbetet nga nga elementët më të spikatur të Partizanit të këtij sezoni, ndonëse akoma nuk e ka shfaqur në fushën e blertë të gjithë potencialin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat