Ja pretendimet e Besës ndaj gjykimit

Sporti

Ja pretendimet e Besës ndaj gjykimit

Më: 21 prill 2014 Në ora: 21:17

Fati i Besës në këtë kampionat duket i paracaktuar. Humbja me Skënderbeun në transfertë në javën e 29 i ka fundosur verdhezinjtë në tabelën e renditjes dhe tashmë vetëm një mrekulli mund t’i shpëtojë nga rënia një Kategori më poshtë. Që pas fitores me Flamurtarin më 13 Mars, formacioni i Artan Mërgjyshit ka arritur të grumbullojë vetëm 2 pikë në 6 ndeshje, një ecuri negative e cila, sipas drejtuesve të klubit kavajas, është kushtëzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga gjykimet e njëanshme. Kontestimet më të ashpra u referohen tri sfidave të fundit me Partizanin, Laçin dhe Skënderbeun, ku në fakt vendimet e bluzave të zeza kanë lënë vend për paragjykime.

Në javën e 27-të, në sfidën e “Qemal Stafa” ndaj të kuqve, që në minutën e dytë Fatjon Sefa del përballë Alban Hoxhës, por për anësorin, sulmuesi lushnjar është në pozicion jashtë loje. Një rast mjaft i dyshimtë që mund të kishte ndryshuar fatet e takimit që përfundoi më fitoren minimale të të kuqve.

Një javë më pas, kupa u mbush në ndeshjen e shtëpisë me Laçin. Kavajasit pretendojnë 1-metërsh në të paktën tri raste, me protagonistë sulmuesit Muriqi dhe Guri që u penguan në zonë dhe me Kehinden që ndali me dorë një goditje nga jashtë zonës e Bernard Berishës. Në këtë 90 minutësh ku nuk munguan ofendimet në kor ndaj presidentit të Laçit, kryesori Remzi Sadiku, sipas kavajasve, u kursye ndaj kurbinasve në rastet e lojës së rëndë. Verdhezinjtë pretendojnë se Besën e duan të rënë një Kategori më poshtë, ndryshe e kanë të vështirë ta shpjegojnë që edhe në sfidën e fundit në Korçë iu anullua një gol mëse i rregullt, ndërsa standardi i arbitrit nuk ishte i njëjtë si në rastin e nxjerrjes me karton të kuq të Fejzullahut me momentin e ndërhyrjes së gabuar të Dimos ndaj Berishës. Shumë episode që të mbledhura bashkë, pa harruar edhe aleancat e mundshme në dëm të Besës, kanë ndikuar drejtpërdrejtë në ecurinë e skuadrës së Artan Mërgjyshit, që tashmë pret vetëm matematikën për të nisur llogaritë për Kategorinë e Parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat