Analiza, si vijnë në gjysmëfinale Atletico-Chelsea

Sporti

Analiza, si vijnë në gjysmëfinale Atletico-Chelsea

Më: 21 prill 2014 Në ora: 21:16

Që të vihen dy skuadra pothuajse identike përballë njëra – tjetrës në një kompeticion si Champions League është dicka vërtet që ndodh rrallë, por duket se është pikërisht ky rasti për dy ekipe si Atletico Madrid dhe Chelsea, që do të masin forcat në gjysmëfinalen e vajtjes, takim që cel njëkohësisht edhe këtë fazë tepër të rëndësishme të kupës më të lavdishme në kontinent. Në Vicente Calderon bardhekuqtë të përkrahur nga tifozeria e tyre e zjarrtë do të bëjnë cmos për të marrë një rezultat pozitiv, që t’iu mundësojë më pas një kthim sa më të qetë në Stamford Bridge. Para së gjithash Atletico meriton respekt për sezonin e madh që ka zhvilluar deri më tani, por mbi të gjitha edhe për faktin se përbën njëherësh edhe skuadrën e vetme deri në këtë pikë të sezonit që nuk njeh humbje në Champions. Pasi dominoi grupin ekipi I Diego Simeones eliminoi një e nga një klube të tillë si Milan e Barcelona, duke treguar gjithmonë një shpirt të lartë gare. Thamë që dy skuadrat ngjasojnë së tepërmi për nga stili dhe ndoshta vetë argjentinasi është idhtar i flaktë i Jose Mourinhos, megjithatë deri tani ekipi që ai drejton e ka interpretuar këtë mënyrë loje akoma më mirë edhe sesa vetë portugezi duke pësuar vetëm 5 gola në 10 takime. Atleti i tij shfaqet njëlloj i fortë në mbrojtje duke pësuar vetëm 22 gola në 34 ndeshje në Primera Division, aktivitet ku los colchoneros kanë fituar 8 sfidat e fundit, e në fakt janë vetëm 4 ndeshje larg rikthimit te titulli pas plot 18 vjetësh. Diego Simeone është njëri prej heronjve të asaj kohe ku skuadra drejtohej nga Radomir Antic, sidoqoftë kuptohet qartë që pavarësisht buxhetit dukshëm inferior kundrejt dy gjigantëve Real – Barca skuadra e tij ka arritur një mrekulli më vete në këtë aspekt, duke konfirmuar më së miri se nuk nevojiten aq shumë para për të ndërtuar një ekip fitues. Në kaq pak kohë Simeone ka përshtatur këtë stil loje me kontigjentin që ka në dispozicion, madje duke gjetur zgjidhjet e duhura në sulm, ku skuadra ka patur më parë edhe emra të tillë si Sergio Aguero, Diego Forlan e Radamel Falcao, por ka ditur t’I zëvendësojë me binomin Diego Costa – David Villa. Disfata e tyre e fundit është ajo në Pamplona me Atletico Osasuna dhe ekipi ka shënuar plot 109 gola gjithsej në të gjithë aktivitetet, një rekord më vete ky për klubin. Vetë Diego Costa me 27 golat e tij në kampionat është vetëm një hap larg Cristiano Ronaldos, gjithsesi në skuadër spikasin gjithashtu Koke me 13 asiste e 6 gola apo dhe Raul Garcia që shënon vazhdimisht pikërisht në momentet kur ekipi është në vështirësi. Shpirti i skuadrës është Gabi, i cili me 110 tackle renditet i dyti në Evropë në këtë element e deri këtu kapiteni ka dhënë maksimumin për të ngjitur Atleticon kaq lart në kontinent për herë të parë pas plot 40 vjetësh. Tek e fundit maksimumi është një detyrim në skuadrat e Simeones dhe ndryshimi me Mourinhon është se 43-vjecari argjentinas qëndron ngjitur me vijën e fushës duke nxitur ekipin si zakonisht me grintën e tij karakteristike. I vetmi problem që ka ekipi madrilen është dëmtimi i Arda Turan, që nuk luan që nga fillimi i këtij muaji, ndërkaq rrezikojnë të humbasin sfidën e kthimit në rast ndëshkimi me karton Juanfran, Gabi, Koke si dhe Emiliano Insua. Në krahun tjetër qëndron Chelsea i Jose Mourinhos që këtë sezon ka sërish shansin për t’u bërë I pari trajner në histori që fiton këtë kompeticion me tre skuadra të ndryshme. Ndoshta janë të paktë ata që kishin parashikuar praninë e klubit londinez deri në këtë fazë, sidoqoftë falë një goli në fund të ndeshjes së kthimit blutë përmbysën disavantazhin e dy golave duke nxjerrë jashtë Evropës Paris SG. Me tre humbje në 6 sfidat e fundit Chelsea po tregon shumë luhatje por gabimi më I rëndë në këtë sport ndoshta është të nënvleftësosh një si Mourinho. Goli që pësoi në fundjavë me Sunderlandin ishte I pari pas 840’ për londinezët në Stamford Bridge, dhe macet e zeza në atë takim I dhanë fund pathyeshmërisë së Mourinhos që zgjaste prej 77 ndeshjesh në tempullin e klubit, pra kuptohet që ekipi spanjoll e ka shumë mirë të qartë që në kryeqytetin britanik blutë I vënë drynin portës. Me shumë gjasa Champions League përfaqëson shansin më të mirë që Chelsea ka për të ngritur trofe gjatë këtij sezoni dhe rrallëherë ndodh që londinezët të gabojnë në dy ndeshje rresht. Natyrisht që nuk ka vend për krahasime mes tyre por 51-vjecari luzitan në ndryshim nga argjentinasi e karikon ekipin gjatë gjithë javës dhe më pas preferon të qëndrojë I ulur në stol.

Mourinho është ndër trajnerët që lexojnë më mirë një ndeshje në aspektin taktik, kështuqë vendasit duhet të bëjnë kujdes në radhë të parë për të mos pësuar. Me stil të njëjtë loje ndoshta do të jetë e vështirë për ekipin e Simeones që të përballet me një klub me shumë më tepër eksperiencë e që në arenën europiane e interpreton më mirë këtë mënyrë loje, gjithsesi do të mungojë në krah për kampionët e vitit 2012 Branislav Ivanovic, dhe Mourinho do të duhet të zgjedhë ndërmjet David Luiz e Ashley Cole. Rikthehet Ramirez, pa të cilin duke iu referuar statistikave në mënyrë kurioze Chelsea paraqitet më mirë, e po ashtu pritet të luajë edhe belgu Eden Hazard, sidoqoftë nuk ka udhëtuar drejt Spanjës sulmuesi kryesor Samuel Eto’o. Strategu portugez nuk mund të përdorë dot në kupë Nemanja Matic e Mohamed Salah, gjithsesi mund të mbështetet përpara te eksperienca dhe njohja e Fernando Torres, që konsiderohet akoma si një ndër sulmuesit më të mirë në historinë e Atleticos së Madridit. Nuk do të habiteshim aspak nëse nga minuta e parë Mou dërgon në fushë Demba Ba, ndërkaq sfida ka një shije krejt të vecantë për portierin Thibaut Courtois I cili vazhdon të qëndrojë pezull mes dy klubeve. Dihet portieri I përfaqësueses belge është dhënë në formë huazimi nga Chelsea te Atletico, por kjo nuk influencoi aspak dy vjet më parë kur bardhekuqtë falë një 3-golëshi të Radamel Falcao që në pjesën e parë shkatërruan 4-1 në Superkupë ekipin që asokohe drejtohej nga Roberto Di Matteo. Interesant është fakti që Mou kërkoi me insistim sulmuesin kolumbian, që preferoi Monacon, por tani radhën duket se e ka Diego Costa I cili pritet të veshë sezonin e ardhshëm fanellën e bluve. Te Chelsea rrezikojnë për të humbur ndeshjen e kthimit në rast kartoni Frank Lampard, John Obi Mikel e Ëillian, e pritet që skuadra angleze të luajë që nga fillimi me dyshen Lampard – Ramirez. Katër sezone më parë në fazën e grupeve Chelsea barazoi 2-2 në Madrid dhe fitoi 4-0 në Londër.

Ndeshja paraprakisht nuk pritet të ofrojë spektakël apo shumë gola dhe në letër duket si ndeshje shahu mes Diego Simeones e Jose Mourinhos, gjithsesi në orën 20:45 një pjesë të mirë të presionit do ta ketë mbi supe gjyqtari kryesor. UEFA i ka dhënë besim arbitrit suedez Jonas Eriksson. 40-vjecari I cili është gjyqtar i FIFA-s që nga viti 2002 ka drejtuar 5 takime në këtë edicion të Championsit. Eriksson shkëlqeu në sfidën e kthimit Bayern – Manchester United, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ndeshjet Ajax – Milan ku shpiku një 11-metërsh për Milanin që më pas rezultoi fatal për ekipin e De Boer, si dhe Manchester City – Barcelona ku përsëri gjykimi I tij pati kontestime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat