Reali në gjurmët e Icardit, vlen 25 mln Euro

Sporti

Reali në gjurmët e Icardit, vlen 25 mln Euro

Më: 21 prill 2014 Në ora: 14:27

Sezoni i mirë që po kalon Mauro Icardo te Interi ka ngjallur mjaft interes te disa nga klubet më të mëdha europiane. Me 8 golat që ka shënuar deri tani, për bomberin 21-vjeçar të zikaltërve janë vendosur në ndjekje Atletico Madrid e Monaco, por duket se nuk janë vetëm këto. Sipas faqes së specializuar për lëvizjet në merkato, “Fichajes.com”, në gjurmët e argjentinasit nga Rosario ndodhet edhe Reali i Carlo Ancelottit dhe këto momente të arta që po kalon, Icardi synon me të drejtë t’i shfrytëzojë për të ngjitur shkallë të rëndësishme në karrierë.

Agjenti i tij ndërkohë ka kërkuar nga drejtuesit e Interit për një rishikim të akordit mes palëve, me lojtarin që merr një pagë prej 800 mijë Eurosh plus bonuse në kontratën që skadon në Qershorin e vitit 2018. Nga ana e zikaltërve për momentin ka hezitim, por hierarkia e klubit do të ishte e gatshme të ulej në tryezën e bisedimeve, nëse për Icardin do të mbërrinte një ofertë që konsiderohet interesante për një shifër të paktën 25 milionë Euro. Gjithnjë sipas “Fichajes.com”, i vetmi klub i gatshëm për të paguar këtë shumë rezulton Reali i Madridit, që ka nisur që tani kërkimet për përforcimin e repartit të ofensivës, në rast se Karim Benzema do t’i thotë lamtumirë Los Blancos në fund të sezonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat