Courtois: Chelsea favorit, edhe Barça ishte...

Sporti

Courtois: Chelsea favorit, edhe Barça ishte...

Më: 21 prill 2014 Në ora: 14:26

Pavarësisht kërcënimit nëpër dhëmbë të Jose Mourinhos, te Atletico nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Thibaut Courtois do të aktivizohet në gjysmëfinalet e Championsit ndaj anglezëve të Chelsea, me të cilët ka kontratë deri në 2016-ën. Portieri i huazuar te Los Colchoneros pohoi se Blutë e Londrës konsiderohen favoritë, por këtë status kishte edhe Barça që u eliminua pikërisht nga Atletico.

“Eshtë diçka shumë e veçantë për mua që do të përballem sërish me Chelsean, ashtu si në Superkupën e Europës. Për momentin ndodhem te Atletico dhe dua të fitoj tituj me skuadrën aktuale, megjithatë në të njëjtën kohë dëshiroj më të mirën edhe për Chelsea. Shpresoj që ata të triumfojnë në Premier League, por jo në këto dy takime që kanë me ne. Sigurisht që Chelsea është favorit, por të mos harrojmë që edhe Barça ishte”.

Veç garës në Champions, Atletico kryesues është pretendent serioz edhe në Primera Division. Bëhet fjalë për dy tituj që shumë pak njerëz mund t’i kenë imagjinuar në fillim të sezonit. Për të gjitha këto arritje, Courtois ngre në qiell trajnerin argjentinas të madrilenëve.

“Eshtë merita e Simeones për sukseset e mëdha që kemi arritur deri tani. Nga momenti i parë kur u emërua, na e bëri të qartë se si i donte gjërat dhe si e dëshironte lojën e skuadrës”.

Në përfundim gardiani belg i Atleticos tha se qartësia në lojë është një tjetër element i recetës së sukseseve, pasi çdo futbollist e di mirë rolin që i takon në fushën e blertë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat