La Liga, Messi rikthen Barcelonen te fitorja

Sporti

La Liga, Messi rikthen Barcelonen te fitorja

Më: 20 prill 2014 Në ora: 22:53

Pasi humbi gjithcka brenda një jave, Barcelonës i mjaftojnë vetëm tre minuta për t’u rikthyer te fitorja, sigurisht pa mundur dot të përmbysë fatin e një sezoni, por atë të një ndeshjeje, po. Golat e Pedros dhe Messit nga minuta e 71-të dhe 74-tërt kthyen rrjedhën e një tjetër takimi që dukej se po shkonte në ritmin normal të ditëve të fundit për blaugranat. Skuadra që kishte fituar gjithcka, e kishte mahnitur globin me futbollin e saj në vitet e fundit, e pa veten në vështirësi përballë Athletic Bilbaos, që e kishte mundur dhe në fazën e parë. Pas një pjese të parë të mbushur me raste por jo me gola, Aduriz ngriu një “Camp Nou” të mbushur përgjysmë, kur në minutën e 49-të detyroi Pinton të nxirrte topin nga zona.

Asgjë nuk dukej se shkonte në rrugë të mbarë për Barcën, sidomos kur Messi i vetëm përballë Iraizoz gaboi një gol të sigurtë. Megjithatë, katalanasit mbeten një skuadër e madhe, dhe pavarsisht kontestimeve të tifozerisë, arriti të barazojë me Pedron në minutën e 71-të. Ndërkohë që 3 minuta më pas Messi shënoi dhe të dytin, për t’i dhënë avantazhin Barcës e duke detyruar tifozët të rifusin sërish në xhep shamitë e bardha të kontestimit. Përmbysja e shifrave mund të kishte qënë më e thellë nëse Messi nuk do të ishte ndalur nga Laporte në minutën e 84-tërt, pas një aksioni personal, por mbrojtësi 19 vjecar tregoi arsyet se pse Bajerni e kërkon me aq ngulm. Përfundimisht u mbyll 2-1 për blaugranat, që rigjejnë fitoren, qëndrojnë ende matematikisht në garën për titull, por mbi të gjitha tregojnë se një grusht kritikash nuk mund të shkatërrojnë kaq lehtë një skuadër të madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat