Super Shala, në krye të listës së shënuesve në Finlandë

Sporti

Super Shala, në krye të listës së shënuesve në Finlandë

Nga: Kemajl Goca Më: 20 prill 2014 Në ora: 12:34

Drilon Shala bombardoi me dy gola kampionin finlandez, Helsinkin. “Jam krenar që shënova dy gola dhe shpresoj të vazhdojë kështu”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Drilon Shala.

Sulmuesi nga Kosova, Drilon Shala, është në formën më të mirë. Ai realizoi dy gola në fitoren e skuadrës së tij, Lahti, me rezultat 3:1 kundër kampionit në fuqi, Helsinki, në ndeshjen e javës së tretë në Kampionatin e Finlandës. Futbollisti Shala në dy ndeshje ka realizuar tre gola dhe si rezultat i kësaj prin në listën e shënuesve me 3 gola ose ka një më shumë se futbollistët: T. Gruborovics (Inter Turku), M. Ilo (Kups), R. Porokara (Honka), P. Sihvola e T. Vesala (Mypa) etj. Shala shënoi golat në minutën e 7-të e 45+1, duke e “terrorizuar” kampionin që hiqej favoritë. Sulmuesi shqiptar u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e parë (45+1), ndërsa nga mediet finlandeze dhe faqja e klubit vlerësohet hero i ndeshjes. Lahti renditet në vend të 6-të me 4 pikë (një fitore e një barazim) por ka një ndeshje më pak se kryesuesi Mypa që ka 7 pikë. “Para fillimit të kampionatit me bashkëlojtarë jemi zotuar që të luftojmë për titull, sepse e kemi ekipin shumë të mirë. Jam krenar që shënova dy gola dhe shpresoj të vazhdojë kështu. Kemi luajtur shumë mirë kundër Helsinkit dhe prej pesë rasteve realizuam tri gola. Kemi pritur tre pikë dhe kemi besuar se do ta mundim kampionin, duke u mbështetur në lojën tonë që po e bëjmë gjithnjë e më të mirë”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Drilon Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat