Pogba afron Juventusin akoma më shumë te "Skudeto"

Sporti

Pogba afron Juventusin akoma më shumë te "Skudeto"

Më: 19 prill 2014 Në ora: 21:21

Mjafton Paul Pogba që Juventusi të fitojë edhe një ndeshje delikate. Bardhezinjtë e Antonio Contes sigurojnë një tjetër sukses me aromë titulli. “Juventus Stadium” po rezulton një kështjellë e vërtetë për bardhezinjtë, të cilët kaluan 1-0 Bolognan në një 90 minutësh që mund të kishte shkuar shumë më keq për kampionët. Emiljanët që zbritën në fushë me presionin mbi supe pasi tashmë e shikojnë veten në zonën e ftohtë si pasojë e fitores së Sassuolos, kërkuan të mos dilnin pa pikë nga transferta e Torinos dhe ia dolën më së miri deri në minutën e 64-t kur 21 vjeçari francez shkundi rrjetën e Andrea Curcit, duke çliruar psikologjikisht ekipin që u bë më i zhdërvjellët në lojë gjatë minutave në vazhdim.

Me Giovincon dhe Llorenten në sulm, Conte e kërkoi golin nga këmbët e sulmuesve të tij, por me kalimin e minutave mbrojtja e Bolognas u bë edhe më solide, duke rritur tensionin në stol. Sinjalin e parë të vërtetë bardghezinjtë e dhanë në minutën e 28-të kur Chiellini pasoi një top në zonë por Curci priti në dy kohë goditjen e Marchisios. Kaq mjaftoi për një pjesë të parë të varfër në raste dhe ide, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë ishte Giovinco që shërbeu kilianin Isla i cili nuk arriti ta kalonte topin në rrjetë. Në një ndeshje të tillë diferencën mund ta bënte vetëm një lojtar me cilësi të larta teknike dhe ishte Pogba ai që mori përsipër fatet e skuadrës pasi dogji në kohë portierin Curci duke realizuar golin e 3 pikëve dhe të shtatin në këtë sezon, që e ngjit kështu Juventusin në kuotën e 90 pikëve duke e afruar edhe më shumë me titullin e tretë rresht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat