Martino: S’jam i kënaqur. Messi e ka vendin te Barça

Sporti

Martino: S’jam i kënaqur. Messi e ka vendin te Barça

Më: 19 prill 2014 Në ora: 13:50

Takimin e radhës Barcelona e ka në Camp Nou me Athletic Bilbaon, por vendin kryesor në konferencën për shtyp të Tata Martinos e zunë temat më të nxehta që lidhen me të ardhmen e tij, të Messit dhe situatën e trazuar te blaugranat.

“Nuk ndiej asnjë kënaqësi nga puna ime dhe nuk shikoj asgjë pozitive pas humbjes së dy titujve dhe të tretit që tashmë është shumë i vështirë. Në lidhje me të ardhmen time, çfarë ka ndodhur, nuk ka sjellë asnjë ndryshim, pra nuk kam asgjë për të komunikuar”.

E ardhmja e trajnerit argjentinas vazhdon të qëndrojë pezull, në një kohë kur shumë zëra qarkullojnë për një largim të paimagjinueshëm të Messit. Martino tenton të shuajë çdo dyshim për fatin e Leos larg Barçës.

“Unë dhe 99% e njerëzve të botës së futbollit jemi të habitur që flitet për të ardhmen e Messit. Janë fjalë që nuk duhen marrë për bazë dhe me mendjen time, as që nuk mund ta imagjinoj Messin që karrierën ta mbyllë larg Barcelonës”.

Në vijim Martino pohoi se morali i skuadrës ka rënë sepse mori tre goditje të forta brenda pak ditësh, por forca është e madhe për të reaguar e për të luftuar deri në fund të sezonit, është një detyrim mbi të gjitha. Sikur të mos mjaftonin telashet, vuajtja e Barçës është bërë edhe më e rëndë me humbjen e Neymar. Veç brazilianit, tekniku argjentinas komentoi edhe çfarë pritet nga takimi me Bilbaon.

“Nuk jam optimist dhe e shikoj të vështirë rikthimin e Neymar brenda këtij sezoni. Kemi humbur një lojtar të kategorisë së lartë. Ndaj Bilbaos presim më shumë lojë në ajër, është karakteristikë e tyre. Izolimi i lojtarëve të rrezikshëm si Aduriz është zgjidhja për të marrë rezultatin që duam”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat