Sa shumë vuajtje për 3 pikë, Atletico-Elche 2-0

Sporti

Sa shumë vuajtje për 3 pikë, Atletico-Elche 2-0

Më: 18 prill 2014 Në ora: 23:09

Atletiko Madrid vuan shumë përballë Elches, në sfidën hapëse të javës së 34 të Primera Division që u zhvillua në Vicente Calderon, megjithatë mori trepikëshin e radhës që e afron me objektivin titull. Los Colchoneros vuajtën presionin psikologjik ndaj një kundërshtari modest, megjithatë shmangën një rezultat surprizë falë golave të Mirandas dhe Diego Costas në fund të këtij 90 minutëshi. Cuditërisht gjatë pjesës së parë edhe pse iniciativa ishte e vendasve, rastet më të pastra i pati Elche. Në minutën e 26 në zhvillimet e një goditjeje këndi Sapunaru gjendet i lirë në zonë, por goditjen e tij me kokë Curtois e devijon në fundore. Mbrojtësi rumun e ka të vështirë ta besojë, që portieri belg i mohoi një gol të sigurtë. Në minutën e 30 një aksion i shpejtë i Elches për pak finalizohet në rrjetë nga Carles Gil, por në këtë rast goditja e tij përfundoi mbi tra.

Atletiko e nis mirë pjesën e dytë me Raul Garsian, që fitoi një 11-metërsh në minutën e 49 pas ndërhyrjes së Sapunarut, por cuditërisht David Villa nxitohet në goditje duke dështuar përballë Herreras. 7 minuta më pas sulmuesi asturian arrin ta gjejë rrugën e rrjetës, por është në pozicion jashtë loje. Në minutën e 61 Simeone i kryen të gjitha ndërrimet, për ta rifreskuar skuadrën, duke nxjerrë nga loja edhe David Villan.

Gjithsesi rezultati u zhbllokua nga Miranda, i cili kërceu fuqishën në zonë pas një goditjeje këndi, duke bërë që të shpërthejë Vicente Calderon. Në minutat e fundit Elche hidhet e tëra në sulm për të mos dalë pa pikë nga kjo sfidë për në minutën e 90 kapet në befasi nga Diego Costa që fiton një 11 metërsh, vendim që shoqërohet me kartonin e kuq për Sapunaru. Ekzekutimin e penalltisë e merr përsipër vetë Costa, që këtë radhë nuk gabon përballë Herreras. Në katër ndeshjet e mbetura të kampionatit Atletikos do t’i mjaftojnë tri fitore për të siguruar titullin, pavarësisht asaj që do të ndodhë në sfidat e Realit të Madridit dhe Barcelonës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat