Trajneri i Milanit, Clarence Seedorf, ka kërkuar përqendrim nga lojtarët e tij për të vazhduar kërkimin e një vendi që të dërgon në Europa League.
Holandezi mori drejtimin e Rossonerëve në janar pas shkarkimit të Massimiliano Allegrit, mirëpo e pati të vështirë që ta ringjallte skuadrën për një periudhë.
Megjithatë, në katër ndeshjet e fundit klubi i madh italian ka regjistruar fitore, ashtu që trajneri shpreson që të luajnë në Evropë në edicionin e ardhshëm.
Në ndërkohë, e ardhmja e Seedorf ka qenë temë diskutimi në mediat italiane, por 38-vjeçari nuk shqetësohet për këtë çështje.
“Derisa të më telefonojë presidenti Berlusconi, do të vazhdoj të punoj me siguri të plotë se jam trajner i Milanit. Skuadra duhet të përqendrohet në ndeshje, jo në situatën time”.
“Ne po bëjmë presion për një vend në Europa League, por si sportistë duam që të vazhdojmë përpara (me fitore)”, ka deklaruar Seedorf para gazetarëve.
Milani është tri pikë larg vendit që çon në raundin e tretë kualifikues për Ligën e Evropës, ndërsa ndeshjen e ardhshme e zhvillon kundër Livornos.