K. Superiore, java e 29-të qartëson shumë ekuacione

Sporti

K. Superiore, java e 29-të qartëson shumë ekuacione

Më: 18 prill 2014 Në ora: 22:36

Java e 29-të e kampionatit tonë, pritet të jetë një stacion i rëndësishëm për të qartësuar disi situatën tepër të ndërlikuar në tabelën e renditjes. Sfida e parë në program për këtë javë do të jetë përballja Kastrioti – Vllaznia. Për krutanët, ky 90 minutësh konsiderohet mundësia e fundit dhe matematike për qëndrimin në Superiore, ndërsa shkodranët janë në kërkim të fitores së pestë radhazi, që do të ishte jo vetëm një rekord për ta në këtë sezon por mbi të gjitha një hap i rëndësishëm në garën për mbijetesë. Ndërkohë të dielën, në orën 14:00 në Lushnje, vendasit do të presin Flamurtarin e rilindur në javët e fundit. Në kampin lushnjar mbijetesa konsiderohet një mision i pamundur dhe qysh në këto momente kanë filluar të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Një situatë e tillë mund të jetë një favor për vlonjatët për të marrë një tjetër tre pikësh që do ta vendoste skuadrën e Flamurtarit në një pozicion mjaft të favorshëm për pjesën e mbetur të kampionatit.

Temperaturat e kësaj jave do të fillojnë të ngrihen në orën 16:00 me sfidën me aromë evropiane, mes Laçit dhe Teutës. Dy ekipet kanë gabuar shumë në javët e fundit dhe tashmë do të luajnë një finale me njëri-tjetrin, për të rritur shanset për një biletë për në Europa League. Në orën 17:00, vëmendja e opinionit tonë sportiv do të jetë e dyzuar mes Korçës dhe Tiranës, aty ku luajnë paralelisht Skënderbeu ndaj Besës dhe Partizani ndaj Kukësit.

Korcarët pas tri humbjeve radhazi kanë ndërlikuar disi pozitat e tyre për të mbrojtur titullin kampion dhe ndaj Besës së etur për pikë është e ndaluar të gabojnë sërish. Ndërsa Partizani-Kukësi mund të jetë sfida, rezultati i së cilës mund të zbërthejë një prej ekuacioneve më të vështira në historinë e kampionateve tona në 24 vitet e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat