Guardiola: Reali edhe më i sigurt pas Kupës

Sporti

Guardiola: Reali edhe më i sigurt pas Kupës

Më: 18 prill 2014 Në ora: 15:02

“Reali i Madridit do të jetë më i sigurt pas triumfit në Kupën e Mbretit, asnjëherë nuk janë të lehta të tilla takime”.

Trajneri i Bayernit, Pep Guardiola foli para takimit me Eintracht Braunschweig, por me titullin në xhep, e gjithë vëmendja në kampin bavarez qëndron te sfida e parë gjysmëfinale me madrilenët javën e ardhshme në Champions League.

“Tani është radha e klasikes së Championsit. Nuk ka rëndësi se çfarë ka ndodhur në Kupë sepse Reali është gjithmonë një rival i fortë ashtu si skuadrat e tjera që kanë arritur gjysmëfinalet, si Atletico dhe Chelsea. Bëhet fjalë për një ndeshje që është e rëndësishme për lojtarët, stafin teknik dhe të gjithë botën. Realin e kemi në mendje, por tani duhet të përqëndrohemi te takimi me Eintracht”.

Për transfertën në Bundesliga, Guardiola konfirmoi qëndrimin e Neuer në Mynih me objektivin që të luajë ndaj Realit, ndërsa komentoi edhe kritikat e fundit të drejtorit sportiv, Matthias Sammer, në drejtim të lojtarëve.

“Ai ndjek me kujdes çdo gjë që ndodh në skuadër dhe në gjithçka që bën, synon vetëm të mbrojë Bayernin”.

Mjaft i karikuar për përballjen e parë me Los Blancos foli edhe Bastian Schweinsteiger. Mesfushori 29-vjeçar tha se bavarezët që në takimin e parë me do të tentojnë të jenë dominues ndaj Realit për të mbërritur në finale e për të mbrojtur më pas titullin në Champions.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat