Krasniqi ngritët në vend të 4-të në WBO dhe të 7-tin në WBA

Sporti

Krasniqi ngritët në vend të 4-të në WBO dhe të 7-tin në WBA

Nga: Kemajl Goca Më: 18 prill 2014 Në ora: 12:34

Boksieri më i mirë shqiptar me prejardhje nga Juniku, Haxhi Krasniqi, pas fitores më 28 mars kundër boksierit nga Gana Emmanuel Danso, ngrihet në vend të katërt në WBO dhe të shtatin në ranglistën e WBA-së. Krasniqi kishte arritur fitore qysh në rundin e shtatë kur detyrojë rivalin që të dorëzohet dhe tashmë pret që t’i hapet lufta për titullin e kampionit të botës në versionin WBO në kategorinë gjysmë të rëndë. “Pas triumfit ndaj Danso, Krasniqi është ngrit në vend të katërt në botë në WBO dhe të 7-të në WBA. Këto janë dy nga katër federatat më të mëdha të boksit profesionist në botë. WBA, WBC, WBO dhe IBF këto janë katër Federatat më të mëdha të boksit profesionist”, tha për “Bota sot” këshilltari i Haxhiut, Luan Dreshaj. Krasniqi është për herë të dytë kampion Internacional i WBO-së në kategorinë gjysmë të rëndë, ndërsa vitin e kaluar (më 20 prill) pësoi humbje në luftë për titullin e botës nga uellsiani Nathan Cleverly. Shqiptari nga Kosova nga 44 meçet e deritashme ka 41 fitore dhe synimi i tij është titulli i kampionit të botës, për çfarë është duke punuar me ngulm që të arrijë këtë objektiv. Edhe Nuri Seferi pas fitores kundër boksierit nga Venezuela, Gusmyr Perdomo, ka ngritje në ranglistë. “Nuri Seferi ngritët në vend të 15-të në kategorinë Cruiser (90 kg). Në muajin maj, Krasniqi e Seferi, kanë me u rendit edhe më mirë”, tha Dreshaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat