Tifozët kontestojnë Barcelonën

Sporti

Tifozët kontestojnë Barcelonën

Më: 17 prill 2014 Në ora: 16:58

Kohët kanë ndryshuar, ndërsa mbrëmja e triumfit në finalen e Kupës së Mbretit për Realin u spostua nga “Mestalla” në paradën e lavdisë në sheshin Cibeles, mbrëmja e gjunjëzimit të Barcelonës në stadiumin e Valencias u spostua në mbrëmjen e ferrit në “Camp Nou”.

Pas disfatës së pësuar nga rivalët madrilenë, blaugranat u pritën në mënyrën më të keqe nga një grup tifozësh në rikthimin e tyre në Katalunjë, dhe siç ndodhi edhe pas disfatës së Granadas, edhe këtë herë “fluturuan” fyerje në drejtim të futbollistëve. “Mercenarë, nuk impenjoheni, nuk djersisni”- janë këto të vetmet fjalë që mund të përkthehen për etikë televizive. Pjesa tjetër ishin fjalë të pista, drejtuar ndaj atyre që më pak se një muaj më parë konsideroheshin si idhuj pas suksesit në “El Clasicon” e kampionatit.

E ndërsa mediat pranë Barcelonës, “Sport” dhe “El Mundo Deportivo” flasin për përfundimin e një cikli, tifozët kërkojnë dorëheqjen e Tata Martinos, trajnerit që u transferua në “Camp Nou” verën e kaluar dhe që mund të mbyllë sezonin pa ngritur asnjë trofe, përjashtuar këtu Superkupën e fituar në gusht. Por ndërsa pas disfatës në Granada kishte qenë mbi të gjithë Neymar në shënjestër të tifozëve që kontestonin, këtë herë as Lionel Messi nuk u kursye. Për mediat spanjolle dhe ato europiane, ylli argjentinas personifikon më së miri krizën e Barcelonës ndërsa për tifozët po binden gjithnjë e më tepër nga zërat se Messi po kursehet për Botërorin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat