Robben kërkon hakmarrjen ndaj Dortmundit

Sporti

Robben kërkon hakmarrjen ndaj Dortmundit

Më: 17 prill 2014 Në ora: 15:56

Humbja e një jave më parë kundër Borussia Dortmund djeg ende në kampin bavarez. Arjen Robben mendon se Bayernit të Mynihut i është dhënë një shans i artë për t’u hakmarrë brenda një kohe shumë të shkurtër kundër verdhezinjve të Jurgen Klopp, me të cilët kanë rezervuar një finale të fortë në Berlin për Kupën e Gjermanisë. Bayerni u kualifikua pasi kaloi Kaiserslautern, ndërsa Dortmundi kishte avancuar më herët me fitoren e pastër 2-0 ndaj Wolfsburgut.

“Eshtë fantastike që do të ballafaqohemi me një ekip të madh si Dortmundi. Shpresoj se do të jetë një finale e jashtëzakonshme, është nga ato ndeshje që e pret prej kohësh. Do të tregohemi të kujdesshëm, sidomos pas humbjes së fundit që pësuam pikërisht me Dortmundin. Na mposhtën 3-0, ndërsa me të njëjtin rezultat ne i mundëm në pjesën e parë të sezonit. Mezi e pres këtë ndeshje”.

Pas dy zhgënjimeve të fundit kundër Dortmundit dhe Augsburgut, holandezi theksoi se kampionët e Gjermanisë dhe Europës janë super të motivuar për finalen e Kupës.

“U detyrohemi shumë tifozëve. Ndaj Kaiserlautern ishte një gjysmëfinale për jetë a vdekje sepse ishim të vendosur për të siguruar finalen e Berlinit. Mendoj se luajtëm mirë dhe arritëm objektivin. Tani duhet të shikojmë përpara”.

Finalja e edicionit të 71-të të Kupës mes Dortmundit e Bayernit do të luhet në mbrëmjen e 17 Majit në stadiumin olimpik të kryeqytetit gjerman.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat