Shfryn Sammer: Me këtë lojë, titujt të vështirë

Sporti

Shfryn Sammer: Me këtë lojë, titujt të vështirë

Më: 17 prill 2014 Në ora: 15:55

Pavarësisht fitores së thellë 5-1 kundër Kaiserslautern që për Bayernin do të thotë një vend në finalen e Kupës së Gjermanisë, drejtori sportiv i bavarezëve nuk ka mbetur aspak i impresionuar me lojën e skuadrës. Matthias Sammer deklaroi se Bayerni duhet t’i japë më shumë xhiro lojës për të përsëritur suksesin e trefishtë të sezonit të kaluar e madje nuk hezitoi të lëshonte kritika në drejtim të lojtarëve.

“Sigurisht që jemi të lumtur për faktin që tashmë ndodhemi në finale, por unë personalisht nuk jam i kënaqur me mënyrën se si po luajmë. Ka shumë lapsuse në përqëndrimin e skuadrës, por jo shumë në dinamikën e grupit. Mendoj se jemi pozitivë dhe të sjellshëm më tepër seç duhet të jemi në të vërtetë”.

Ndoshta këto fjalë të Sammer mund t’i adresohen edhe trajnerit Pep Guardiola, të cilit nuk i kanë munguar kritikat së fundi pikërisht në lidhje me stilin e lojës së kampionëve të Gjermanisë. Drejtuesi i Bayernit e di se çfarë nevojitet me mesazhin që ua përcjell të gjithëve pa përjashtim.

“Duhet më shumë zjarr në lojë dhe kurajo për t’i thënë gjërat ashtu si duhet. Nëse nuk do të ketë asnjë reflektim, do të jetë e vështirë marrja e një tjetër trofeu, por nëse rikthehemi te loja jonë e mëparshme, atëherë do të jemi në gjendje të fitojmë gjithçka”.

Që prej sigurimit të titullit kampion në Bundesliga kundër Herthas, Bayerni ka arritur të fitojë vetëm 2 nga 6 takimet e fundit, përfshi këtu edhe ndeshjet me Manchester United në Champions League.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat