Martino: Humbja me Realin, goditje tepër e rëndë

Sporti

Martino: Humbja me Realin, goditje tepër e rëndë

Më: 17 prill 2014 Në ora: 10:16

Jashtë Championsit, më pas humbja me Granadan që komplikoi edhe më shumë pozicionin në kampionat. Grushtin e radhës Barcelona e mori në finalen e Kupës së Mbretit me disfatën kundër Realit të Madridit në Mestalla në një takim që nxori në dukje problemet e blaugranave, si dhe ka shtuar pasigurinë për të ardhmen. Gjithsesi trajneri Tata Martino është i bindur se fati i tij nuk do të ndikohet nga kjo El Clasico, teksa tentoi t’i japë moral skuadrës për një sprint të fundit deri në finish të sezonit.

“Ndiej keqardhje të thellë për këtë humbje, është një goditje tepër e rëndë. Falenderoj tifozët që erdhën dhe na mbështetën dhe në të njëjtën kohë u kërkoj ndjesë që nuk mundëm të fitonim. Panorama ekzistuese nuk është në favorin tonë, por do të japim gjithçka nga potenciali ynë deri në fund të sezonit. Kjo skuadër është e njohur për aftësitë në të shënuar, krejt papritur golat avulluan. Një e ardhme e ndritur ndodhet përpara, edhe pse tani nuk jemi në formë të mirë. Përsa i përket të ardhmes sime, nuk mendoj se varet nga kjo humbje apo nga ato të javës së shkuar”.

I trishtuar për disfatën në Kupën e Mbretit foli edhe Xavi Hernandez. Mesfushori i katalanasve tha se finalja në Mestalla u vendos nga detajet, duke pranuar se Barcelona e pagoi kryesisht për gabimet veta në lojë. I pyetur për këtë jave tragjike të blaugranave, kapiteni deklaroi se skuadrës i kanë munguar golat në momentet më vendimtare, në një kohë kur rastet për të shënuar kanë qënë të shumta. Në garë për një trofe të vetëm, Xavi pranoi se lufta në La Liga është shumë e vështirë, por kërkoi nga ekipi të qëndrojë i bashkuar deri në takimin e fundit të kampionatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat