Kapllani rinovoi për 2 vjet me FSV Frankfurt

Sporti

Kapllani rinovoi për 2 vjet me FSV Frankfurt

Më: 17 prill 2014 Në ora: 00:27

E ardhmja e Edmond Kapllanit do të vazhdojë të jetë të FSV Frankfurt. Pasditen së Mërkurës klubi gjerman bëri të ditur në faqen e tij zyrtare në Internet se sulmuesi durrsak ka rinovuar edhe për dy sezone të tjera kontratën që i skadonte në verën e këtij viti. Paraqitjet e futbollistit të kombëtares shqiptare i bindën drejtuesit e FSV Frankfurt për ta zgjatur marrëveshjen me bomberin. Kapllani u transferua te skuadra e Bundesilgës së dytë në verën e vitit 2012 dhe në 50 paraqitje me ta ka shënuar në total 22 gola, 11 prej tyre vetëm gjatë këtij sezoni.

Nëse 31-vjeçari e respekton deri në përfundim kontratën e re që nënshkroi me FSV Frankfurt sezonet e tij në Gjermani do të shkojnë në plotë 12. Durrsaku u transferua në vendin teuton në vitin 2004 kur kaloi nga Besa e Kavajës te Karlsruher, skuadër ku qëndroi për 5 sezone. Në 2009 sulmuesi shqiptar u transferua te Augsburgu ekip në të cilin ai kaloi edhe periudhën më të keqe gjatë karrierës së tij të deritanishme. Gjatë kohës që ishte pjesë e bavarezëve të vegjël Kapllani u huazua te dy skuadra të tjera si Koblenz dhe Paderborn për të kaluar përfundimisht në vitin 2012 te FSV Frankfurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat